Pas deklaratës së kryeministrit serb, Ivica Daçiç se fondi për veriun e Kosovës po bëhet me qëllim që paratë e grumbulluara në pikat kufitare në veri të mos shkojnë në buxhetin e Kosovës, zëvëndëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, e ka mohuar një gjë të tillë.

Zonja Tahiri në një konferencë për media gjatë së shtunës, ka vlerësuar se marrëveshja e arritur në Bruksel për doganat ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij serb Ivica Daçiç, përbën njohje të shtetit të Kosovës nga Serbia në fushën e doganave.

Sipas saj, Fondi do të menaxhohet nga Bordi i përbërë nga përfaqësuesi i Qeverisë së Kosovës, atij të komunitetit lokal dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së në Kosovë. Tahiri tha se marrëveshja mundëson arkëtimin e plotë të të gjitha detyrimeve doganore, duke bërë që mjetet e grumbulluara nga doganat e Kosovës të derdhen në buxhetin e Kosovës dhe është buxheti i Kosovës ai i cili i vë në dispozicion këto mjete për fondin zhvillimor.

“Ne si Qeveri kemi vendosur që të themelojmë fondin për zhvillim për këtë pjesë të vendit, duke marr parasysh se për një kohë të gjatë gjendja nuk ka qenë e mirë dhe këto janë në fakt edhe konfirmimet tona si qeveri se për ne gjithë qytetarët e vendit janë të njëjtë dhe ne me këtë rast duam të kontribuojmë për zhvillimin socio-ekonomik të vendit. Fondi themelohet nga Qeveria e Kosovës për bordin ju fola, ndërsa mjetet e grumbulluara nga doganat të gjitha derdhen në buxhetin e Kosovës. Kjo është linja, buxheti i Kosovës është ai i cili vënë në dispozicion këto mjete për fondin zhvillimor”, tha zonja Tahiri.

Marrëveshja për doganat hyn në fuqi menjëherë, ka thënë zëvëndëskryeministrja Tahiri, duke shtuar marrëveshja është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe me parimin se Kosova është një zonë unike doganore.
 
““Me këtë marrëveshje zhbëhen strukturat paralele në fushën e doganave, normalizohen aktivitetet doganore si dhe sigurohet një evidencë e plotë mbi aktivitetet tregtare dhe ekonomike. Kjo marrëveshje mundëson ndalimin e plotë të kontrabandës në vendkalimet kufitare në veri, mundëson stabilizimin e tregut të vendit, ruajtjen e konkurrencës së lirë dhe ofrimin e mbrojtjes institucionale për tregtinë e ligjshme”, sqaron zv/kryeministrja.

Në anën tjetër, Tahiri ka përsëritur atë që e ka thënë edhe kryeministri Thaçi pas takimit në Bruksel se Serbia ka marrë detyrime për të zhbërë strukturat ilegale që veprojnë në veriun e Kosovës. Sipas saj, kryeministri Thaçi dhe Qeveria e Kosovës në Bruksel ka mbrojtur interesat nacionale, Kushtetutën, ligjet e Kosovës, si dhe parimet europiane për fqinjësi të mirë e stabilitet europian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA