Procesi zgjedhor në PDK nuk ka përfunduar as të shtunën në qytetet më të mëdha të Kosovës.

Zgjedhja e kryetarëve të degëve në Prishtinë, Prizren e Gjilan është shtyrë për të hënën, informoi portali “Telegrafi”.

Zyrtarët e PDK-së thanë se janë tejkaluar edhe përçarjet brenda partisë në Viti dhe së shpejti pritet të zyrtarizohet emri i kryeministrit Thaçi, me një mandat të ri në krye të forcës më të madhe politike në Kosovë.

Në këtë garë, Thaçi është kandidati i vetëm dhe anëtarët votojnë vetëm pro ose kundër tij.

Në Prishtinë, PDK mblodhi Këshillin Drejtues të Degës, i cili ka zgjedhur kryesinë, ndërsa për të hënën u paralajmërua se do të votohet për kryetarin.

Shumicën e votave për të formuar kryesinë e re të PDK-s në Prishtinë i mori Fatmir Sopi me 36, ndjekur nga Lirak Çelaj me 33 vota dhe Blerand Stavileci me 32 vota.

Pas tyre u rendit kandidati tjetër i PDK-së për kryetar të kryeqytetit, Memli Krasniqi, pasuar nga Vlora Çitaku e Genc Prelvukaj.

Përgjegjësi për organizimin e zgjedhjeve në PDK, Bastri Musmurati, konfirmoi nga ana e tij, se ditën e hënë, dega e PDK-së në Prishtinë do të zgjedhë kryetarin e saj, njëkohësisht do të votohet për kryetarin e partisë.

Ndërkohë, të shtunën, në Kuvendin Zgjedhor në Gjilan mori pjesë edhe lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, i cili premtoi investime në rajonin e Anamoravës.

”Nuk kemi bërë mrekullira, por arritjet tona janë të pakrahasueshme me punën e partive tjera”, deklaroi kryeministri përpara delegatëve të partisë së tij.

Gjatë fjalës së tij, Thaçi premtoi se më 1 tetor do të hapet universiteti publik në Gjilan, me emrin e heroit kombëtar Kadri Zeka.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA