Rrugët tona janë plot me policë. Na mbrojnë? Jo, na bezdisin

08/01/2013 00:00

Mustafa Nano – Historia është po ajo, e denoncuar shumë herë e nga të
gjitha anët. Ka të bëjë me policor-izimin e bezdisshëm të territorit,
sidomos atij urban. Është një prani policore që do të duhej të
ngushëllonte qytetarët. Por ndodh e kundërta. Ata janë shndërruar në një
problem për qytetarët.

Bien në sy mbi të gjithë policët e qarkullimit rrugor, të cilët, me ato bluzat pa mëngë që në terr lëshojnë një ndriçim fosforeshent, i gjen në çdo orë të ditës e të natës nëpër rrugët e Shqipërisë, e nëpër kryqëzimet e rrugëve të kryeqytetit. I gjen në disa pika të bulevardit, tek ura e Rrugës së Elbasanit, në pikat ku Unaza ndërpritet nga rrugë të tjera, në kryqëzimet e mëdha të Zogut të Zi e të 21-shit, në hyrje e në dalje të Unazës së Re, tek ura e Kamzës, tek stacioni i trenit etj., etj. Syri t’i sheh një e nga një, por edhe në grup. Parkojnë motoçikletat apo makinat diku aty pranë, dhe shpesh u largohen ca metra kryqëzimeve, si për t’u zënë pusi viktimave, e për t’i kapur në befasi. U bëjnë shenjë me atë tabelën, që e nxjerrin përpara dhe e shtrijnë perpendikularisht me trupin e tyre e paralel me rrugën, duke dashur të thonë se nuk mund të shkohet më tutje. Nuk është se kanë ndonjë arsye që të të mbajnë. Jo, thjesht ua jep truri, nxjerrin tabelën, dhe kaq. E në këtë kuptim, viktimat janë të rastit.

Tri herë më ndodhi që të më mbanin para tri ditësh, në fundjavë, natën vonë, teksa po dilja nga shtëpia për të shkuar diku mes miqsh. Duhet të ish ora 23.30, kur më doli patrulla e parë, pas një kthese. Dy syresh kishin ndalur një makinë tjetër, e po jepnin e merrnin me të zotin e saj; kështu i sheh tërë kohën, duke biseduar me duar e këmbë me viktimat e tyre. Po t’i filmosh pa zë, e po të injorosh ngjyrën e uniformave të policisë, të bëhet se janë trafikantë apo banditë që negociojnë ndonjë gjë mes tyre. E nuk është se gabohesh 100%, pasi në të vërtetë janë duke negociuar një zgjidhje të situatës. Qytetarët e ndaluar kërkojnë t’i bindin policët se nuk kanë bërë ndonjë kundërvajtje, apo se kundërvajtja nuk e ka hak atë gjobë që po u vihet, dhe policët ngulin këmbë në të tyren derisa gjendet një zgjidhje e negociuar, d.m.th. del dikush që u fut një shumë lekësh në duar policëve, e kështu secili shkon në punë të vet.

I treti më doli mua përpara, dhe më bëri të frenoja disa metra më tutje vendit ku m’u faneps polici arrogant. Ky i fundit erdhi pas meje, dhe pa më thënë asgjë, bëri të fuste turinjtë në xhamin e hapur të makinës për të shquar se me kë kish të bënte. “Urdhëroni”, i thashë. “Ok, vazhdoni”, m’u përgjigj. “Nuk ka problem, mund të vijoni rrugën”, ma përsëriti, teksa vuri re një ngurrim timin. Me sa duket ai më kish njohur, por unë doja të merrja vesh për ç’arsye ai polic më kish mbajtur afër mesnatës, në periferi të Tiranës. “Pse më mbajtët?”, këmbëngula unë. “Zoti Nano, nuk ka asnjë problem, mund të vazhdoni jetën e natës”. Nuk e shtyva më tutje bisedën. Mbylla xhamin, dhe i dhashë gaz makinës. “Ç’e zgjate aq shumë? Polic hesapi”. Më bëri vërejtje personi që ish me mua në makinë. Është reagimi tipik i yni në të tilla rrethana. Nuk kërkojmë pse-në e asaj që ndodh. Mjaft t’i ikim telashit, por as që duam pse-në.

Te kryqëzimi i 21-shit më doli grupi tjetër. Ish e njëjta pamje. Dy policë po merreshin me një që e kishin ndalur; ia kishin bllokuar derën me trupat e tyre të bëshëm dhe po komunikonin me atë qyqarin brenda në makinën e vet. I treti u dha në rrugë për të më ndalur mua. Isha duke ecur ngadalë, dhe u ndala mu te këmbët e policit, që për çudinë time kish një trup të mirë, të lidhur, e pa bark. Këtë herë, as vetë nuk e di pse, e mora me të qeshur. Hapa xhamin e krahut tim, dhe po prisja buzagaz njeriun me uniformë. Dhe sjellja e tij ishte sipas një skripti të njohur. “Oh, zoti Nano, si jeni? Nuk e dija që ishit ju. Mund të vazhdoni”, më tha, teksa vuri re pamjen time të hareshme, së cilës kushedi ç’interpretim i ka dhënë në kaptinën e tij. Ndoshta, ashtu si dhe unë, s’ka mundur t’i japë ndonjë interpretim. Nuk fola asnjë fjalë. Me po atë pamje kotmëkot të gëzuar mbylla xhamin e makinës dhe bëra tutje. Një sekondë më pas më erdhi të thosha: Vend muti! Dhe e thashë. Maskën e hareshme nuk e kisha hequr ende nga fytyra. Madje, mu në atë çast, me ato fjalë që thashë, m’u bë se i dhashë kuptim asaj maske.

Për herë të tretë më ndalën në orën 02.00 të mëngjesit, teksa po kthehesha në shtëpi. Menjëherë pasi bëra gjysmërrotullimin e Zogut të Zi, shí midis ish-Shkollës së Partisë së Punës dhe Pallatit të Sportit, më doli përpara patrulla e radhës e policëve. Ka ca kohë që i shoh vazhdimisht atje pas orës 23.00. Nuk e di pse kanë zgjedhur atë pusi. Ngaqë atje është një terr i plotë? Ndoshta.

Fjalët e policit që më mbajti kam ca vite që i di përpara se ato të dalin nga goja e tij: “Oh, qenkeni ju, zoti gazetar! Na falni, vazhdoni!” Dhe polici nuk më zhgënjeu. Tha pikërisht ato fjalë. Më besoni, sado i dobët të jesh përballë një mirësjelljeje të tillë e përballë faktit që njeriu i ligjit më shumë nderon autoritetin tënd putativ sesa autoritetin e ligjit, në shumicën e rasteve të vjen për të vjellë nga e gjithë kjo. Nuk duhen shumë mend për të kuptuar se kjo mirësjellje është shenja më e parë e më e qartë e faktit që policët tanë janë kaçakë e bashibozukë. Që nga momenti që një polic të thotë “ah, ju jeni? Ok, më falni”, ai s’është më polic, por është dikush që nuk e ka idenë se ç’është ajo rrobë që ka veshur. Në rrethana të tilla unë përfytyroj vëllain, motrën, të afërmit e mi dhe sepse më vjen të përfytyroj gjithashtu një frazë surreale të policit: “Ah, s’qenkeni ju? Më jepni dokumentet!”

Pastaj, për ç’dreqin do t’i hynte në sy kjo mirësjellje dikujt në një kohë që brenda tri orëve ndalohet tri herë nga policët e Republikës së vet? Këta policë që të ndalojnë në rrugë të bëjnë të të duket vetja si një delinkuent, e nuk ka asnjë fjalë të mirë policësh që të ta heqë këtë ndjesi. Por nuk i thashë gjë policit. Nuk kam se ç’t’i them. Çfarë kam për të thënë, po ia them ministrit të Rendit. Publikisht:

“Zoti ministër, hiqini policët nga rrugët! Jepuni ndonjë motoçikletë a makinë të vinë vërdallë në rojë të trafikut, por mos i lini më rrugëve, sidomos me bllok në dorë, sidomos pak metra larg kryqëzimeve. Janë shndërruar në insekte të neveritshme.

Dhe jepuni urdhër të zbatojnë ligjin për këdo e të mos nxjerrin nga goja shprehje të llojit: ‘Ah, ju qenkeni? Më falni, vazhdoni rrugën’.”

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA