Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, synon që të vijë në krye të qeverisë sa më shpejt.

Kështu ka deklaruar ai, gjatë një vizite në Malishevë, edhe pse ka thënë se në rast se nuk i jepet ky post, atëherë do të presë zgjedhjet e rregullta.

“Synoj të marr udhëheqjen e qeverisë. Është një projekt, i cili ka filluar më herët dhe në rast se do të realizohet, shpresojmë së shpejti, atëherë do të kishte qenë më mirë, sepse do të kisha filluar të flas me punë. Në rast se jo, do t’i respektojmë të gjitha zhvillimet e deritanishme në institucione dhe do të presim zgjedhjet e rregullta në vend. Unë kam dhënë një ofertë, që ka të bëjë me udhëheqjen e qeverisë, në mënyrë që të ndryshoj gjendjen në vend. Pra, vetëm këtë e jo tjetër”, tha Ramush Haradinaj.

Haradinaj vazhdon të këmbëngulë në marrjen e postit të kryeministrit, edhe pse nga partia në pushtet, PDK e Hashim Thaçit, ka sinjale mohuese, situatë kjo që nuk pritet të ndryshojë, deri në zgjedhjet partiake në fund të janarit.

Top Channel