Silvio Berlusconi nuk i mat aspak fjalët kur flet për Mario Balotellin, sulmuesin italian që në mediat sportive flitet se mund të jetë përforcimi i ardhshëm i Milanit.
“Më vjen keq që e them, por tek Milani është shumë i rëndësishëm faktori njerëzor. Nëse fut një “mollë të kalbur” në dhomat e zhveshjes, mund të infektojë gjithë të tjerat. Pasi them këtë, nuk do pranoja kurrë që Balotelli të ishte pjesë e skuadrës sime”, deklaroi presidenti i kuqezinjve i ftuar në një emision televiziv italian.
Ndryshon puna kur Berlusconi pyetet mbi idhullin e ri të tifozëve milanistë, Stephan El Shaarawy: “Patëm aftësinë dhe fatin të gjenim një kampion dhe një njeri të mrekullueshëm si ai. Për mua El Shaarawy është që tani një simbol i Milanit, ashtu siç kanë qenë Maldini dhe Baresi. Do të jetë pjesë e historisë sonë dhe nuk do të shitet për arsye bilancesh.”
Edhe për Massimiliano Allegrin nuk ka fjalë të mira. Kur u pyet nëse trajneri i Milanit do të vazhdonte edhe në sezonin e ardhshëm, Berlusconi tha: “Një president duhet të thotë gjithmonë të vërtetën, kështu që kaloni tek pyetja tjetër.”
Top Channel