“Shqip” me Anri Salën

07/01/2013 00:00

Ky vit për “Shqip” nisi me “takimin” me një personazh interesant. Bëhet fjalë për Anri Salën, “djali i artë”, një ndër emrat më të njohur të artit bashkëkohor, shumë i njohur në fushën e tij, i njohur edhe në Shqipëri. “Shqip” me Rudina Xhungën përcolli punën e tij në dy vitet e fundit në Paris dhe Berlin. Një shqiptar që të bën të ndjehesh krenar, sepse është i tillë. Për herë të parë në “Shqip” u prezantuan disa prej punëve të tij, të shkëputura “me lejen” e autorit.

Për të kuptuar më mirë Anrin, mjafton t’u hidhet një sy shkrimeve nga gazetarë dhe specialistë të artit pamor në Francë. Më poshtë njëri prej tyre nga Lyk Matjë:

***

Si kuptohet një artist modern, disa ditë para ekspozitës më të madhe të karrierës së tij? Në hijet e galerisë të stërmadhe në jug të qendrës Pompidu, Paris, është e lehtë të shquash teknikun e përkulur mbi ashensor, i cili po vendos një video-projektues në tavan. Më intrigues, një njeri rreth të dyzetave, me flokë të gjatë e me krela, i ulur në gjunjë përpara një daulleje. Jo, ai, “është një specialist kalifornian për efektet zanore të komedive muzikore”, na shpjegojnë. Po silueta e përkulur mbi kompjuterin portativ, mbi ekranet e mbushur me diagrame? As ai, është një inxhinier zëri. Anri Sala, artisti i kërkuar është vetëm pak metra larg, prapa një prej pesë ekraneve gjigantë të vendosur në sallë.

Nuk duket si stereotipat videografë me famë ndërkombëtare. Nuk ka as ekstravagancë, as të bërtitura, as zymtësi. Duket thjesht pak nervoz. “Ka gjithnjë rregullime që bëhen në minutën e fundit, në një ekspozitë të përmasave të tilla”, na shpjegon ai.

38-vjeçari shqiptaro-francez, Anri Sala, është pjesë e figurave më të njohura të artit modern. Atij sapo i është caktuar detyra të përfaqësojë Francën në Bjenalen e Venecias. Veprat e tij ndërthuren midis punimeve zanore, videove dhe arkitekturës dhe janë ekspozuar në Majami, Londër, Berlin, Tokio dhe San Paolo.

Galeritë më të njohura – Marian Gudman në Nju Jork ose Shantal Krusel në Paris – e përfaqësojnë në kryeqytetet më të mëdha dhe i faturojnë videot e tij me 100 mijë euro. “Iku shumë shpejt, pa u dukur me nxitim. Është e rrallë të jesh në moshën e tij e të kesh një publik të tillë ndërkombëtar”, vlerësoi Kristinë Masel, drejtoresha e kujdestarëve të muzeut të arteve moderne në qendrën Pompidu.

Anri Sala flet me saktësi për veprën e fundit që ka paraqitur në Paris. Pa reshtur, ai kërkon fjalën e duhur e shqetësohet të dijë nëse bashkëbiseduesi e kupton. Shkon deri aty sa të lexojë citate, metoda të ndjekura më shumë nga politikanët se artistët.

Monografia e ekspozuar në qendër të Pompidusë artikulohet rrotull pesë ekraneve, secili nga 10 metra i gjatë, dhe të vendosur në formë rrethi, në mënyrë që vizitori të shohë disa njëherësh. Katër filma të xhiruar në Sarajeve, Berlin, Bordo dhe Meksiko, të gjithë të projektuar në mur. Spektatori shkon nga njëri tek tjetri. Në një orë, që është kohëzgjatja e ekspozitës, vizitori e bën dy herë xhiron.

“Vizitori kalon në hapësirën e ekspozitës sipas një koreografie që bashkohet me ato të personazheve të filmit”, shpjegon Anri Sala. Kalimi nga një ekran tek tjetri provokohet po njësoj nga ambienti zanor i krijuar, i ndërthurur me një simfoni të Çaikovskit dhe “Should I Stay or Should I Go” të Clash, muzika e të cilëve përhapet nga rreth 40 altoparlantë.

“Nuk jam në një sintaksë kinematografike, ku zëri dhe figura tregojnë një histori. Spektatori është i ndërgjegjshëm që nuk gjendet vetëm në vendin e filmit, por gjithashtu në hapësirën e ekspozitës.” Kjo përshtypje përforcohet nga një faqe muri prej xhami që lejon të shikohen kalimtarët pranë qendrës Pompidu. Është si një ekran i gjashtë, që krijon një plan të ri dhe që tregon pak më shumë ambicien e Anri Salës: të luajë me perspektivat, me “linjat që largohen me lëvizje”.

Anri Sala e eksploron këtë çështjen e zhvendosjes zanore ose pamore që prej 15 vjetësh. Ai u bë i njohur në fund të viteve 90 me “Intervista”. Ndonjëherë i parë gabimisht si një dokumentar, ose si një kërkim identiteti, ky film ka lindur rastësisht, kur artisti gjeti mes kartonëve të apartamentit të familjes së tij në Tiranë, kryeqytetin shqiptar, bobinat 16 milimetërshe të cilat mamaja ia kishte dhuruar Televizionit Shtetëror në vitet ’70.

U mungonte zëri: Sala u kërkoi shurdhë-memecëve të lexonin përgjigjet e së ëmës nëpërmjet lëvizjeve të buzëve. Ai u habit nga reagimi: “Ajo nuk e kundërshtoi atë që kishte thënë, por kundërshtoi sintaksën e përdorur. Ishte e bindur që s’mund të kishte folur në atë mënyrë, Kjo tregonte që ajo gjuhë ishte e lidhur me regjimin e ideologjinë e tij, dhe që ajo s’i kishte rezistuar dot rrënimit ndaj tyre.”

Nga kjo fëmijëri në Shqipëri, e mbyllur nga regjimi më dogmatik e më gjakatar i Marksizëm-Leninizmit, Anri Sala thotë se ka ruajtur edhe “kujtimet e lumtura”. Ngurrimi për të folur rreth jetës nën regjimin e Enver Hoxhës, mund të jetë për shkak të statusit të familjes. Mamaja e tij ishte drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare, pasi kishte pasur një pozitë me përgjegjësi në gjirin e Komitetit të Rinisë Komuniste. Babai ishte një inxhinier në televizionin shtetëror dhe ai përpiqej të luante violinë.

Anri Sala thotë që s’ka një shembull të saktë të asaj që mund të jetë jeta nën diktaturë. “Mbaj mend në radhë të parë përshtypjet, si ato që kam ndier kur kam qenë nëntë vjeç, kur prindërit e mi e miqtë e tyre krijonin aq besim sa për të folur hapur përpara meje, pa frikë se mund të përsëritja fjalët e tyre jashtë”.

Pas rënies së Murit të Berlinit dhe rrëzimit të çiftit Çauçesku në Rumani, rënia e regjimit komunist në Shqipëri në vitin 1991 nuk ishte më surprizë. “Shumica mezi e priste, dhe merreshim vesh pa e thënë me fjalë.” Ai mban mend 20 Shkurtin, ditën e rrëzimit të statujës së Enver Hoxhës. Kjo u ndoq nga një periudhë lirie totale, ku “papritur, gjithçka ishte e mundur”. “Mësuesja e filozofisë s’kishte as një udhëzues të përshtatur për kohën. Para rrëzimit të regjimit, mësonim vetëm Marksizëm-Leninizmin. Të tjerat i mësonim vetëm nga kritikët.”

Anri Sala ishte një hap përpara miqve të tij në liceun artistik. Në atë kohë kur i vetmi pasqyrin i realitetit mësohej nën regjimin komunist, ai kishte pasur mundësinë të lexonte libra të ndaluar, falë mundësive të mamasë, e mes tyre disa të Kandinskit. Pasi hyri në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, ai ishte i pari që u fut në artin e krijimit të videove.

Më pas u vu re nga Henri Fuko, në shkollën e arteve dekorative, i cili e ndihmoi të marrë një vizë për të studiuar në Francë, fillimisht në Paris e pastaj në Studion Lë Frensua, në Turkuo. Artisti i ri mësoi frëngjisht dhe u vendos pak nga pak si një nga artistët më të shkëlqyer të brezit të tij, në linjën e plasticienit francez, Filip Parreno.

Beqar e pa fëmijë, Anri Sala jeton tashmë në Berlin, si shumë artistë të tërhequr nga qiratë e arsyeshme. Ai ka votuar më 28 prill, në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Nuk pranon të thotë se për kë ka votuar, por gjykon si “shqetësuese” numrin e votave që ka marrë Fronti Kombëtar.

Sala e kalon kohën e lirë duke kaluar kufij, duke udhëtuar mesatarisht gjashtë muaj në vit, në varësi të projekteve dhe ekspozitave të tij. Për ekspozitën në Pompidu të Francës iu nevojitën gjashtë muaj përgatitje dhe 200 metra katror hapësirë në katin përdhes, pothuajse sa ekspozita Matis, që shfaqet pesë kate më lart.

Top Channel