Vijojnë në distancë reagimet dhe kundër reagimet mes PS dhe fëmijëve të kryeministrit Berisha.
Argita Berisha, së bashku me bashkëshortin Jamarbër Malltezi, i kanë dhënë përgjigje deklaratës së të shtunës të PS-së, përmes së cilës kjo parti akuzon se Sali Berisha s’ka ç’tu thotë shqiptarëve dhe ka zgjedhur baltosjen e opozitës.
Në fillim të reagimit, Argita Berisha thotë se “Z. Rama, nën moton “shpif, shpif se diçka mbetet”, vazhdoi sot për të 13-tën herë sulmet e ulta politike dhe pa asnjë fakt, në lidhje me të ardhurat tona dhe burimet e tyre plotësisht transparente”.
Vajza e kryeministrit, sikurse edhe në reagimet e mëparshme, pohon se të ardhurat e saja dhe të bashkëshortit janë krijuar nga burime të pastra, të ligjshme dhe të njohura, të përfshira në mënyrë të plotë në deklarimin pranë organeve tatimore dhe ILDKP.
“Këto të ardhura janë krijuar nga aktiviteti profesional, mësimdhënie, kërkim shkencor, botime librash profesionale, pjesëmarrje në konferenca kombëtare e ndërkombëtare, qera nga apartamente në pronësinë tonë dhe trashëgimi familjare; të gjitha këto të përfshira dhe të vërtetuara me firmat tona dhe punëdhënësve tanë, me derdhjet bankare dhe me kontratat përkatëse të deklaruara në organet tatimore dhe ILDKP; dhe e kemi bërë këtë vite më parë se sa ligji të këkonte një gjë të tillë. Këto institucione kanë bërë kontrollet e tyre dhe kanë dalë me njoftim zyrtar, duke i konsideruar ato transparente dhe konform ligjit. Këto kanë qenë dhe janë standardet tona”.
Sipas Argita Berishës, kreu i opozitës duhet të bëjë transparente pasurinë e tij dhe të bashkëshortes Linda Basha.
“Një javë më parë, ne ju bëmë thirrje dhe përsëri ju ftojmë Z. Rama, që për 13 vite ministër dhe kryetar bashkie, i deklaruar si i pastrehë dhe me pasuri 3 mijë euro, të bësh publike dhe me të njëjtin standard transparence të ardhurat e tua si dhe të ndriçosh, ndër të tjera, një nga pasuritë e bashkëshortes tënde Linda Basha, e cila ka deklaruar se është përfituese e një huaje pa interes, pra dhuratë, prej jo më pak se 100 milionë lekësh, nga një person anonim. Shtojmë këtu se kjo shumë nuk është deklaruar si e derdhur me bankë, por është marrë nga Linda Basha me para të thata në dorë. Ju bëjmë me dije se në doktrinën e larjes së parave, huaja pa interes dhe, e theksojmë, nga persona anonimë, konsiderohet tejet e dyshimtë për pastrim parash”.
Reagimi i Argita Berishës mbyllet me disa pyetje drejtuar Edi Ramës.
“Z.Rama, tregoju shqiptarëve se si mund të merret një hua prej 100 milionë lekësh pa interes? A mos është kjo një dhuratë? Kush është bujari anonim, që ka paguar 100 mln dhe për çfarë i ka paguar? Dhe së fundi, në sa thasë i mbani ju dhe gruaja juaj 100 milionë lekë z.Rama, nëse nuk i keni në bankë?”.
Top Channel