“Vrava taksistin, kishte lidhje me nënën time”

05/01/2013 00:00

“Komandant! Unë vrava Mehmet Beqirin. Ai kishte lidhje intime me nënën
time. Ja, edhe armën e krimit. Nuk mund ta duroja më këtë situatë. Ishte
shumë e rëndë për mua”. Kështu mësohet t’i ketë thënë 27-vjeçari Aldo
Morina, autori i dyshuar për vrasjen e taksistit, komandantit të
Komandove Speciale, Dritan Demiraj, të cilin e kishte epror.

Pas kësaj, Demiraj ka njoftuar Policinë e Tiranës, duke u thënë se autori i vrasjes së 54-vjeçarit ndodhej në Zall-Herr, duke kërkuar prej saj arrestimin e të riut, për krimin që kishte kryer mesditën e 1 janarit. Menjëherë, në repartin ushtarak, ka shkuar policia, e cila ka bërë të mundur arrestimin e 27-vjeçarit, te forcat speciale. Ai është penduar për vrasjen e kryer dhe nuk ka bërë as përpjekjen më të vogël, për t’iu fshehur drejtësisë, por i qetë ka pritur prangosjen.

Vrasja e taksistit

Ngjarja ka ndodhur më 1 janar të këtij viti, rreth orës 14:20, në rrugën “Kadri Roshi” Tiranë, në afërsi të Spitalit të Pediatrisë, ku 54-vjeçari Mehmet Beqiri është ekzekutuar me pistoletë, në mjetin e tij, tip Benz 250, me targa “TR 2848 A”.

Paraprakisht, dyshohet se vrasja është kryer për motive morali. Aldo Morina, prej kohësh dyshonte se nëna e tij, kishte krijuar një lidhje intime me Mehmet Beqirin, i cili punonte si taksist pranë Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”. Para dy vitesh, mësohet se babai i autorit të dyshuar për vrasjen, ishte ndarë nga jeta. Ai nuk e ka pranuar faktin që nëna e tij, kishte nisur një jetë të re, me një burrë të martuar. Situata mes palëve ishte mjaft e tensionuar, por pavarësisht kësaj, e veja vijonte që të frekuentohej me Beqirin. Ditën e krimit, Aldo Morina e ka parë nënën e tij në të njëjtën makinë me Mehmet Beqirin, pranë spitalit pediatrik, ku ajo punonte si infermiere prej kohësh. Mes viktimës dhe autorit ka nisur dhuna verbale dhe më pas situata ka degjeneruar në ekstrem, deri në ekzekutimin e taksistit.

Nëna, në makinën e viktimës

Vrasja është kryer me armën e shërbimit të 27-vjeçarit, në prani të nënës së tij. Kjo e fundit, e alarmuar ka dalë nga makina dhe është larguar në drejtim të paditur. Pas arrestimit të të birit, policia ka shkuar në banesën e saj, për të marrë dëshminë rreth ngjarjes së rëndë, por nuk është gjetur në banesë. Në vendin e ngjarjes ka shkuar policia, e cila ka nisur zbardhjen e vrasjes. Në cilësinë e provës materiale, është sekuestruar arma e krimit, tip pistoletë “Berretë” me numër “PX.1238B” me 4 fishekë. Kjo provë materiale është siguruar me vetëdije nga autori i dyshuar i vrasjes. Ndërkaq në mjetin ku është kryer ekzekutimi, janë gjetur pesë gëzhoja dhe katër predha fisheku.

Gazeta “Shqip”

Top Channel