Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, komentoi të dielën deklaratën e djalit të kryeministrit, Shkëlzen Berisha, duke kerkuar nga e gjithe familja Berisha “shpjegimet e ligjshme” qe opozites dhe te gjithe shqiptareve u takojne.

Në një komunikatë për shtyp, publikuar të shtunën, zoti Berisha mbronte mënyrën transparente me anë të së cilës kishte vënë pasurinë e tij, mohonte akuzat e socialistëve për përfitim nga tenderat shtetërore dhe kërcënonte deputetin Balla me përballjen me ligjin për akuzën e shpifjes.

”Familja e Saliut vazhdon t’i hakërrehet opozitës dhe dje ai nxorri të birin për të shantazhuar Partinë Socialiste me gjyqin e radhës”, deklaroi Balla.

”Ne kemi vetëm disa pyetje për pasurimin e familjes biologjike të Berishës, i cili ka detyrim moral dhe ligjor, të na shpjegojë se si e bija merr 146 milionë lekë nga mësimdhënia, duke qenë një prej pedagogeve më të paguara në botë. Çfarë biznesi ka zhvilluar me pronat e paluajtshme i biri i kryeministrit? Ne nuk kemi trilluar asnjë shifër, por vetëm interpretuar pasurinë që vetë familjarët e kryeministrit kanë deklaruar”.

Sipas Ballës, nëse kryeministri do të vazhdojë të refuzojë transparencën që i kërkon publiku, “gjithçka do të zbardhet me vënien e shtetit ligjor, pasi Partia Socialiste të fitojë zgjedhjet e 23 qershorit. Edhe 175 ditë, për të larguar një kryeministër, që thotë se jemi në ekonomi të dytët në botë”.

Top Channel