Aksidenti në Shkodër, nxirren trupat e dy vëllezërve

26/12/2012 00:00

Polumbarët e RENEA-s kanë arritur të gjejnë makinën e dy vëllezërve Kolndrekaj, si dhe të nxjerrin nga uji, trupat e pajetë të dy të rinjve.

Kërkimet për gjetjen e makinës si dhe trupat e Alfonsit dhe Paskualinos, përkatësisht 20 dhe 22 vjeç rinisën mëngjesin e së mërkurës, pasi një ditë më parë u ndërprenë për shkak të errësirës. Në ndihmë të efektivëve vendas, erdhën palombarët e RENEA-s, pasi thellësia dhe uji i rrëmbyeshëm i lumit Drin vështirësonte kërkimin e dy vëllezërve nga fshati Stajkë, i Komunës së Bushatit.

Të afërmit e të rinjve, kishin deklaruar se kanë humbur kontaktet me familjarët e tyre, që prej mbrëmjes së 24 dhjetorit, ndërkohë mësohet se ata kishin dalë për të festuar vigjiljen e Krishtlindjes.  Ngjarja e rëndë rrugore ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në vendin e quajtur “Kthesa e Beltojës”, në rrugën nacionale Shkodër- Tiranë.  Makina tip “Golf 4″, në të cilin udhëtonin Alfons dhe Paskualino Kolndrekaj, është përplasur me parmakun e urës së Beltojës dhe më pas ka rënë në ujërat e lumit Drin.

Top Channel