Krerët e shtetit urojnë Krishtlindjen

25/12/2012 00:00

“Është një kënaqësi e veçantë, që me rastin e Festës së Krishtlindjes, t’ju shpreh urimet më të mira e të përzemërta kudo ku jetoni dhe punoni! Kjo ditë e shenjtë e kalendarit të krishterë, e cila simbolizon ditën e lindjes së Krishtit dhe të forcimit të besimit në Zot, rilind në zemrat e mbarë besimtarëve përjetime të gëzimit dhe të shpresës për të ardhmen, ku të gjithë, me dëshirë e besim, bashkohemi në qëllimet më fisnike e në vlerat më të larta njerëzore.”

Kështu nis urimi i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, drejtuar të gjithë besimtarëve të krishterë. Nishani vë theksin tek toleranca fetare e vendit tonë: “Për Krishtlindjen urojmë sot njëri-tjetrin, familjarët, të afërmit, miqtë dhe ashtu sikundër e kemi trashëguar brez pas brezi ne shqiptarët, kremtojmë të gjithë së bashku në një vatër, në një sofër, në paqe e mirësi. Tradita e vyer historike dhe kulturore e harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës fetare, pasuri shumëshekullore e brezave të njëpasnjëshëm në këtë vend, na mëson të mbështetemi tek mirëkuptimi, besimi, bashkëpunimi dhe ndjenja e solidaritetit me njëri-tjetrin si mënyra e vetme për të ecur të sigurt drejt prosperitetit, për të ndërtuar një shoqëri të bazuar mbi parime të lirisë e të së drejtës dhe të denjë për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane.”

“Në këtë ditë të Krishtlindjes mendja dhe zemra jonë është tek njerëzit që kanë më shumë nevojë, tek ata që ndihen të vetmuar, ata që kanë humbur shpresën dhe besimin për një të ardhme më të mirë. Këtë Krishtlindje e festojmë në një moment të veçantë për kombin tonë, në 100-vjetorin e Pavarësisë, ndaj le të tejkalojmë çdo pengesë artificiale dhe të bashkojmë të gjitha energjitë për të ecur bashkarisht në rrugën e përparimit dhe begatisë njerëzore.

Zoti qoftë me ne shqiptarët në këtë rrugë!”

Topalli, Berisha dhe deputete te opozites ne katedralen ortodokse

Krishtlindja është festa që politikanët nuk e festojnë vetëm me familjet e tyre, por ndajnë me të gjithë besimtarët dhe udhëheqësit shpirtëror të tyre, urimet për një të ardhme më të mirë për çdo qytetar dhe për vendin.

Kjo atmosferë feste dhe mirëkuptimi u përcoll me urimet për besimtarët e krishterë nga katedralja katolike dhe ajo ortodokse, që pasi kanë përcjellë meshën për besimtarët e tyre, kanë ndarë mesazhet e paqes, harmonisë dhe mbarësisë edhe me politikanët, përfaqësuesit e trupit diplomatik në Tiranë dhe me homologët e besimit musliman.

Këtë vit, për besimtarët ortdoksë, Krishtlindja u prit në katedralen e re, që ngrihet madhërishëm në qendër të Tiranës. Kryepeshkopi Anastas kishte zgjedhur edhe një dhuratë të veçantë, kopjen e kodikut të Korçës, që daton shekullin e dhjetë dhe, siç shpjegoi kryeministri Berisha, një kopje e saj gjendet edhe në Universitetin e Princetow në Shtetet e Bashkuara, duke dëshmuar vlerat e hershme të kulturës shqiptare.

Me urimin për Krishtlindje, kryeministri Berisha shprehu admirim për katedralen e re të kishës ortodokse, e cila dikur ngrihej atje ku është sot “Hotel Tirana”, por që u  shkatërrua nga regjimi komunist. Një veprim, që kryeministri e paralelizoi me qendrimin e opozitës për integrimin e vendit.

Korçë, Rama e Topi urojnë Krishtlindjet

Kryesocialisti Edi Rama ka uruar nga qyteti i Korçës festen e Krishtlindjes për të gjithë besimtaret. I shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij, kreu i Partisë Socialiste është ndalur në selinë e Mitropolisë në Korçë, prej nga ka përcjellë mesazhin e nevojës për një rilindje kombëtare përtej aspektit politik, ku të gjithë të kenë mundësi punësimi, solidaritet dhe t’u realizohen dëshirat e tyre.


“Ne besojmë në rilindjen shqiptare, e cila është më e domosdoshme se kurrë për të gjithë, përtej të gjitha përkatësive. Është një detyrim për të moshuarit, fëmijët, familjet dhe të gjithë shqiptarët që të jetojnë në një vend ku asgjë të mos jetë e parealizueshme”, deklaroi Rama.

Në të njëjtën ditë, urimin për festën e ka përcjellë edhe kreu i FRD-së, Bamir Topi, i cili e ka vlerësuar Korçën si qytetin ku tradita e festimit është e veçantë dhe toleranca fetare është një model.

“Uroj të gjithë shqiptarët e krishterë, ortodoksë dhe katolikë, për këtë festë të madhe që sjell shpresë. Qoftë një ditë e bekuar, e cila uron gjithë të mirat për Shqipërinë, shqiptarët dhe këdo. Kemi ardhur këtu sepse Korça ofron një mjedis shumë intersant për festat. E kam parë tek të gjithë që ekziston tradita e mrekullueshme e mirëkuptimit jo vetëm mes përfaqësuesve të komuniteteve fetare, por edhe mes qytetarëve të thjeshtë”, u shpreh Topi.

Meta: Festa, më shumë shpresë e besim

Kryetari i LSI, Ilir Meta ka uruar besimtarët për Krishtlindjen nga Katedralja Ortodokse në Tiranë.

Në një prononcim për mediat, Meta shprehu urimin që kjo festë të sjellë më shumë shpresë e besim në shoqërinë tonë.

“Gjithashtu, për Krishtlindje urimi shkon edhe për ata që gjenden në vështirësi”, ka thënë Meta.

Krishtlindjet, Aleanca Kuqezi në Elbasan

Në kishën e Shën Mërisë në Elbasan është mbajtur mesha e Krishtlindjeve. Mesha tradicionale është mbajtur nga At Nikolla Marku, i cili këtë vit bëri thirrje për më shumë paqe, dashuri dhe solidaritet mes njëri-tjetrit.

Pas kësaj meshe, ku morën pjesë edhe përfaqësues të Aleancës Kuqezi, kryetari i kësaj force politike vlerësoi at Nikolla Markun për misionin e tij.

“At Nikolla ka qenë në këto vite një nga mbrojtësit më të fortë të Kishës Autoqefale Shqiptare, një kishë ku fatkeqësisht kryepeshkopi Janullatos nuk gjen fonde për të mbuluar çatinë që pikon. Në ditën e Krishtlindjeve, Zoti dha bekimin për të gjithë. Ne jemi këtu për t’u solidarizuar më gjithë shqiptarët”, deklaroi Spahiu.

Top Channel