Rritja e çmimeve për festat e fundvitit

24/12/2012 00:00

Në kohën kur Krishtlindjet kanë trokitur dhe atmosfera e Vitit të Ri ndihet kudo, çmimet në tregjet e kryeqytetit kanë pësuar rritje. Megjithë kontrollet e inspektorëve të Bashkisë, të cilët kanë publikuar çmimet mesatare për të frenuar abuzimet, në treg shtrenjtimi është i dukshëm.

Blerësit shprehen të pakënaqur nga situata që i privon ata që të mbushin tryezën e festave me më shumë produkte. Sipas tyre, çmimet e fruta-perimeve kanë pësuar një rritje të menjëhershme që nga ditët e para të muajit dhjetor. Të njëjtin mendim kanë edhe shitësit e pikave të ndryshme të Tiranës.

“Në këtë periudhë dihet që ka rritje çmimesh. Është shtrenjtë dhe nuk ka punë”, shprehet një tregtar.

Një nga tregjet me çmimet më të larta është ai i Pazarit të Ri, në sheshin “Avni Rustemi”, ku tregtarët nuk shënojnë vlerën e mallit duke krijuar mundësi abuzimi. Shitësit bëjnë rritjen e çmimit sipas llojit të artikullit, tendencë e cila duket se do të vazhdojë.

“Cmimet ngrihen pak me rastin e festave dhe njerëzit nuk kanë të blejnë. Janë ngritur kastraveci, speci etj. Shumica e njerëzve maten shumë herë për të blerë pak gjëra. Thënë shkurt, njerëzit vuajnë”, tregon një shitëse.

Tregtarët shfajësohen duke thënë që çmimet janë rritur në tregjet e shumicës ku ata furnizohen. Rritja e çmimeve gjatë festave është shqetësim i përvitshëm për blerësit, të cilët detyrohen të blejnë më pak. Nga ana tjetër Bashkia ka ngritur task-forcën e saj për të monitoruar abuzimet që janë kthyer në ritual të fundvitit.

Top Channel