Një i arrestuar dhe dy persona të tjerë nën hetim për trafik
ndërkombëtar armësh dhe municionesh luftarake. Policia ka goditur natën e
kaluar një rast të trafikut ndërkombëtar të armëve luftarake.

Tre armë automatike dhe katër karikatorë me nga 30 fishekë secili janë sekuestruar natën e së mërkurës në automjetin me targa të Kavajës që drejtohej nga 23-vjeçari Selim Kaja nga fshati Stan i Ri i Kavajës.

Automjeti ku u gjetën armët e fshehura poshtë ndenjëses së pasme po tentonte të imbarkohej në një nga tragetet e linjës Durrës-Bari. Në orën 03.30 të mëngjesit të sotëm ndaj shtetasit Selim Kaja është marrë masa e arrestit në flagrancë për trafik armësh të mbetur në tentativë.

Nga hetimet është mësuar se të përfshirë në këtë rast trafiku janë dhe dy shtetas të tjerë, prej të cilëve 23-vjeçari ka siguruar armët. Dy prej tyre, i arrestuari i ka marrë nga djali i hallës, 29 vjeçari Jak Xhepa nga Lushnja dhe me banim në Itali, ndërsa të tretën ia ka blerë Hamdi Gjuzit, 55 vjeç nga Mankuria. Të dy këta persona janë shpallur në kërkim.

Top Channel