Ndëshkim ndotjes së mjedisit

17/12/2012 00:00

Në përmbyllje të fushatës së Korpusit të Vullnetarëve, “Denonco, mos hesht” për mbrojtjen e mjedisit, aktivistë, përfaqësues të bashkisë, deputetë si dhe përfaqësues të shoqatave të tjera të mjedisit  kanë diskutuar lidhur me mënyrat që duhen çuar më tej për të mos lejuar ndotjen e mjedisit.

Drejtuesit i Korpusit të Vullnetarëve, Mentor Kikia u shpreh se ka pasur një ndërgjegjësim në rritje të qytetarëve pasi në numrat e telefonit vënë në dispozicion janë regjistruar me qindra telefonata çdo muaj.

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku tha se me ndihmën e qytetarëve janë identifikuar dhe mbyllur mbi 20 vend-grumbullime mbetjesh të paligjshme si dhe janë vendosur 120 gjoba për subjekte, maksimumi i të cilave arrin në vlerën 20 mijë lekë, ndaj Tabaku propozoi rritjen e masës së gjobës.

“Ndërhyrjet në legjislacion që lidhet me kundravajtjet administrative lejojnë Bashkinë e Tiranës që të vendosë gjoba deri në maksimumin prej 20 mijë lekësh, por unë besoj që bashkarisht ne mund të identifikojmë ndotjen e mjedisit dhe të propozohen nivele të ndryshme nëse ne gjykojmë që vend-depozitimet e pakontrolluara mund të kenë një nivel tjetër ndotjeje në mjedis se sa ndotja në mjedis që mund të shkaktohet nga qytetarët. Për këtë arsye kjo është një fushë që ndoshta mund ta eksplorojmë se bashku dhe ne jemi të gatshëm të ofrojmë edhe ekspertizën tonë”, tha Tabaku.

Ndërkohë, deputeti i Partisë Socialiste Besnik Bare, përveç ndërgjegjësimit të qytetarëve i vë fajin edhe mungesës së vullnetit të politikës.

“Meqënëse ndjesia e shoqërisë nuk është në nivelin e duhur, normalisht, politika që drejton një vend duhet të ketë një ndjeshmëri të tillë që t’i paraprijë zhvillimit të shoqërisë shqiptare, të miratojë ligje të tilla, por mbi të gjitha ligje që duhen të zbatohen. Nëse ne do të bëjmë një vlerësim të situatës së mjedisit në Shqipëri, ne do të vëmë re që dëmi që sjell individi dhe qytetari është shumë i vogël me dëmin që sjell politika sot”, tha deputeti Bare.

Kryeinspektori i Policisë Bashkiake, drejtuesit e Drejtorisë së Pastrimit dhe Agjensisë për Mbrojtjen e Konsumatorëve thanë se përballen shpesh me pamundësinë për të gjobitur e vjelur gjobë tregtarëve ambulantë nëpër trotuare, qytetarëve që hedhin mbeturinat nga shtëpia apo makina, dhe kërkuan si rritjen e masave të gjobës ashtu edhe zgjerimin e kompetencave të policisë për vendosjen e gjobave.

Fushata u mbështet nga Agjensia për Mbështetjen e Shoqërisë civile gjatë të cilës u shpërndanë 50 mijë fletëpalosje si dhe u monitorua reagimi i denoncimeve dhe gjobave të policisë.

Top Channel