Qeveria ka kërcënuar haptazi drejtuesit e kompanisë CEZ dhe të gjithë punonjësit e saj se do të përballen me masa të forta ligjore, deri në ndjekje penale, nëse vazhdojnë me kufizimet e paligjshme të energjisë.

Eno Bozdo, zv/ministër i METE, theksoi: “METE i kërkon CEZ të mos provokojë tension publik me anë të veprimeve të saj. Mosofrimi me dashje i një shërbimi publik të domosdoshëm përbën vepër penale, për të cilën do të përgjigjen të gjithë pa përjashtim.”

Zv/ministri i Energjitikës, Eno Bozdo, thotë se qeveria ka prova që në shumë raste ndërprerjet janë të qëllimshme ose për shkak të neglizhencës së kompanisë CEZ për të përmbushur detyrimet e saj ligjore: “Kemi prova se parametrat e stakimit të kabinave elektrike janë më të ulta se normalja. Ato janë reduktuar nga vetë kompania CEZ duke sjellë ndërprejrje më të shpeshta dhe pa shkak të energjisë elektrike.”

Situata e furnizimit me energji po përshkallëzohet javët e fundit, ku Tirana dhe rrethe të tjera të vendit po përballen me kufizime, të cilat në zona të caktuara kanë zgjatur edhe me ditë të tëra. Zyrtarisht kompania e shpërndarjes i ka justifikuar stakimet me avari në rrjet, por përtej shkaqeve kjo situatë së fundmi ka shkaktuar protesta, në disa zona të vendit.  

Licenca e CEZ

Enti Rregullator i Energjisë po shikon hapësirat ligjore për prishje të mënjehershme të kontratës me kompaninë CEZ, pikërisht për shkak të ndërprerjeve të energjisë. Burime konfidenciale nga Enti i thanë Top Channel se po zhvillohen konsultime me kompaninë konsulente që qeveria ka pajtuar për të negociuar konfliktin problematik me CEZ, për të parë nëse ligji ofron hapësira për prishjen e menjehershme të kontratës në mënyrë të njëanshme.

Një muaj më parë, Enti nisi zyrtarisht procedurën për rishikimin e licencës së CEZ, ku i vendosi kompanisë një sërë kushtesh për tu plotësuar. Në datën 17 Enti pret përgjigjet zyrtare të CEZ për këto kushte, për të marrë vendim se si do të veprojë. Por edhe nëse konstaton se CEZ nuk i ka përmbushur kushtet, procedurat ligjore për heqjen e licensës mund të marrin edhe një tjetër muaj kohë deri në finalizim. Me ndërprerjet që po shkaktojnë zemërim publik tek qytetarët dhe në kushtet kur autoritetet pranojnë vetë se nuk kanë më kontroll mbi sektorin energjetik, qeveria duket e trembur dhe po kërkon rrugë të tjera për të përshpejtuar procesin e ndarjes përfundimtare me CEZ.

Top Channel