Ata janë pesë të përzgjedhurit e Almës që do ta përfaqësojnë në “Netët
live”. Të gjithë kanë një pasion të madh për muzikën dhe një sfidë me
veten. Fitorja është e dëshiruar nga të gjithë, por deri atëherë, ata
duan të tregojnë se janë këngëtarë në skenë
Dezi Bekteshi: Dua të shkoj larg në “The Voice”
Dezi Bekteshi është një tjetër talent nga Mitrovica që ka vendosur të bëhet pjesë e “The Voice of Albania”. Aktualisht ajo jeton në Prishtinë dhe para këtij formati, nuk e kishte menduar kurrë të bëhej pjesë e një audicioni.
Tashmë është një nga pesë konkurrentët që Alma Bektashi ka zgjedhur t’i çojë në “Netët live”.
“Muzika do të thotë gjithçka për mua. E kam në qeliza. Vetëm nuk kuptoj se pse kam lindur duke qarë e jo duke kënduar. Ata që e duan shumë muzikën, do të më kuptojnë kur them se edhe në momentet më të hidhura, kam kënduar”, thotë Dezi. Ndonëse e ka shumë pasion muzikën, më parë nuk ka pasur angazhime serioze, ka kënduar vetëm mes miqsh. Tashmë po mendon për projekte serioze.
Tashmë je pjesë e pesëshes së skuadrës së Almës që do të shkojë në “Netët live”. A kishe dyshime nëse do ta kaloje këtë fazë dhe si e përjetove kualifikimin?
Dezi Bekteshi: Para çdo performance, pjesë e emocionit është edhe dyshimi nëse do ta kaloj atë apo jo. Por më e fortë se çdo gjë është ndjenja që pasi ta lësh atë skenë, në të cilën të jepet vetëm njëherë mundësia për të dalë, të kesh bërë një interpretim cilësor që i pëlqen publikut. U gëzova shumë që m’u dha mundësia të vazhdoj më tej, sepse e dua këngën dhe e dua jashtë mase atë skenë, atë moment, duartrokitjet, emocionet e kalimit të fazës, gjithçka. Jam duke përjetuar emocione që më parë nuk e dija që ekzistonin.
Cili ka qenë synimi yt kur je bërë pjesë e “The Voice”, deri ku doje të arrije?
Dezi Bekteshi: Unë nuk e kisha menduar ndonjëherë të merrja pjesë në talent show të tilla. Me të parë “The Voice of Albania 1” fillova ta mendoja seriozisht. E shihja si diçka të kompletuar, juria tejet profesioniste dhe shumë reale në gjykim, instrumentistët e shkëlqyer, prezantuesi, formati…gjithçka aty është shumë atraktive (po flas me syrin e një personi që e sheh nga televizioni). Kjo më bëri të konkurroj në këtë edicion. Nuk kisha bërë ndonjë llogaritje se si do të shkonte dhe çfarë do të ishte rrugëtimi im në “The Voice”. Për mua ishte me rëndësi që të vlerësohem nga juria, të shoh se a do të kthehet ndonjë karrige dhe sa. Nuk kisha menduar asnjë moment se çfarë më priste më tutje. Por, me të marrë pjesë në audicion, u dashurova me këtë format dhe kam dëshirë të shkoj sa më larg. Dua të theksoj se jam shumë e lumtur që do të përjetoj edhe “Netët live”. Emocion që vështirë përshkruhet. Deri ku do të shkoj, tanimë nuk di asgjë.
Skuadrat që do të shkojnë në “Netët live” janë përzgjedhur (përveç Sidritit). Sa e fortë është konkurrenca?
Dezi Bekteshi: Konkurrenca në “The Voice” gjithmonë ka qenë e fortë, secili individ ka diçka unike e gjithashtu edhe unë. Asnjëri nuk është i njëjtë me tjetrin vokalisht.
Leonora Ajdari: Do “luftoj” për fitoren
Për të, pjesëmarrja në “The Voice of Albania” ka qenë një ëndërr që tashmë e ka realizuar. Leonora Ajdari vjen nga Struga. Pas “Audicioneve të fshehura”, ku zgjodhi të bëjë pjesë në skuadrën e Almës, “Betejat” ishin një sfidë e fortë për të. Pas një mundësie të dytë që i dha trajnerja e saj, Leonora shkon në “Netët live”. Njëzetvjeçarja ka hyrë në botën e muzikës që herët. E lindur në Langenthall të Zvicrës, ku ka jetuar rreth 9 vjet, kthehet në Maqedoni dhe futet në botën e artit. “Pasioni im për artin ka qenë tek unë që në fëmijëri. Së pari aktrimi, pasi kam luajtur në drama e më pas muzika. Përvojat e mia të para filluan në shkollë të mesme, me rastin e një feste, ku më caktuan të këndoja një pjesë të një recitali. Vazhdova të merresha me muzikën dhe më vonë m’u dha mundësia të futem në bend, në të cilin vazhdoj të jem”, tregon Leonora.
Ndonëse donte shumë të ishte pjesë e “The Voice”, aplikimi ishte një surprizë që i dashuri i bëri pa dijeninë e saj.
“Vendosa të bëhem pjesë e këtij talenti duke e parë si një mundësi të madhe për të hapur dyert e kësaj ëndrre, për të sfiduar veten brenda këtij rrugëtimi e të vlerësohem nga një juri profesioniste”. Faza e betejave ishte një moment delikat për të. Ajo e humbi përballjen me Jozefinën, por Alma Bektashi zgjodhi t’i japë mundësinë që të jetë e pesta që do të bënte pjesë në skuadrën e saj të “Netëve live”.
A pati moment dyshimi se rruga e saj në “The Voice” mbaroi aty?
Leonora Ajdari: “Të them të drejtën kisha bindjen që duhet ta vazhdoja garën, duke pasur parasysh edhe performancat e konkurrentëve të tjerë. Kjo bindje më bëri të fitoj besimin në vetvete e të mendoj se me cilindo të përballem, unë duhet të jap më të mirën e të vazhdoj këtë garë”.
A është tashmë Çmimi i Madh në synimet e saj?
“Pas gjithë kësaj eksperience të bukur, vjen një moment që kupton qëllimin e kësaj loje, pra Çmimin e Madh që e ëndërrojmë të gjithë. Është shumë e rëndësishme që të arrij këtë çmim dhe për këtë po ‘luftoj’. Pa marrë parasysh se sa do t’ia arrij qëllimit, shpresoj që të kem kënaqur një publik të gjerë”, thekson Leonora.
Dino Gjyzeli: Më pëlqejnë shumë sfidat
“The Voice of Albania 2” ka bërë bashkë shqiptarë nga të gjitha trevat. Një prej tyre, Dino Gjyzeli, vjen nga qyteti i Ulqinit. Një zë që tërhoqi vëmendjen e Almës që në “Audicionet e fshehura” e që vendosi ta çojë edhe në “Netët live” duke fituar kështu përballjen me Orlandon.
Dino vjen prej një formimi muzikor dhe pasioni për muzikën është shumë i madh. “Me muzikën kam nisur të merrem që kur nisa vitin e parë të shkollës së muzikës, që në moshën 7-vjeçare, kur fillova orët e mësimit të kitarës dhe solfezhit. Që atëherë isha i angazhuar në disa konkurrime në Shqipëri, Mal të Zi, Serbi dhe Austri. Me përfundimin e shkollës së mesme u bëra këngëtar dhe kitarist i grupit ‘Sexy Very Much’ të Malit të Zi. Pastaj vjen dhe pjesëmarrja në ‘Top Fest’, ku u nominova për ‘Best New Artist’”, tregon Dino. Ndryshe nga disa konkurrentë të tjerë, Dino është i ambientuar me skenën dhe së fundmi publiku e njeh si vokalistin e ri të grupit “Burn”.
A e priste ai të ishte në pesëshen finaliste të skuadrës së Almës?
“Po, e prisja edhe pse konkurrenca është e madhe. Është normale që pritshmëritë deri diku janë të mëdha që nga momenti që vendosa të jem pjesëmarrës i këtij spektakli muzikor. Gjithmonë pretendojmë për më shumë, për më lartë, për më mirë”.
Në rastin e tij, është e natyrshme të pyesësh: Cila ishte shtysa që e çoi në “The Voice”?
“Si karakter, jam person që më pëlqejnë shumë sfidat. Këtë e shoh si shtysën kryesore për pjesëmarrjen time tek ‘The Voice’”, thotë Dino. Tani për tani mendon të paraqitet sa më mirë në “Netët live”, një fazë shumë e rëndësishme e këtij spektakli. Por edhe nëse rrugëtimi i tij në “The Voice” nuk do të shkojë më tej, ai një gjë e ka të sigurt, do të vazhdojë të jetojë me muzikën, ashtu siç ka bërë dhe do të vazhdojë ta bëjë në vazhdim. “Kjo është ajo që bëj, sepse e dua”, thotë Dino.
Jozefina Simoni: Dëshiroj të realizoj një këngë
Jozefina Simoni, 15-vjeçarja që vjen nga qyteti i Shkodrës, ka bërë shumë njerëz për vete me zërin e saj. Pas “Audicioneve të fshehura” dhe përballjen në ring, ajo i ka kaluar lehtësisht. Alma Bektashi e zgjodhi që të vazhdojë të këndojë në “Netët live”. Jozefina ka kënduar që në moshën 4-5-vjeçare me vëllain e saj amplak me kitarë, për të cilën vazhdon të studiojë në shkollën artistike “Prenk Jakova”.
Familja dhe të gjithë ata që e dëgjonin, kanë qenë shtysa që ajo të vazhdonte ta ndiqte këtë rrugë. “Kam marrë pjesë në shumë programe për fëmijë. Familja më ka mbështetur në këtë rrugë timen dhe vazhdon ta bëjë ende. Kryesisht babai më ndjek gjithmonë në çdo konkurs ku unë marr pjesë, edhe pse sakrificat janë shumë të mëdha, ai nuk më thotë kurrë ‘jo’. Përkundrazi, është ai që interesohet më shumë se unë”, tregon Jozefina. “The Voice” është për të një mundësi shumë e madhe që të tregojë vlerat si këngëtare.
Tashmë je në pesëshen e përzgjedhur nga Alma për të shkuar në “Netët live”. Cila ishte ndjesia e kësaj fitoreje të parë dhe deri ku shkon ambicia jote?
Ndjesia e kësaj fitoreje më bëri të kuptoj që tani duhet të punoj edhe më shumë, por edhe t’i shijoj “Netët live”, për aq kohë sa të jem pjesë e tyre. Duke kaluar fazat, po kuptoj që gjithmonë e më shumë të rritet dëshira për të shkuar sa më lart, por për mua më e rëndësishme është që performancat e mia të pëlqehen, të kenë sukses, siç kanë pasur deri më tani.
Ti vjen nga një formim muzikor dhe nga një qytet me tradita në këtë fushë. Sa mendon se të favorizon kjo në përballje me konkurrentët e tjerë?
Duke qenë se unë kam lindur dhe jam rritur në një qytet si Shkodra, arti dhe muzika nuk më kanë munguar në asnjë moment. Jam rritur në skenë që e vogël, kam pasur shumë kontakte me publikun, jam përballur me sfida pak a shumë të tilla. Kam përjetuar edhe humbjen dhe fitoren, jam mësuar me pak fjalë. Kjo ndoshta me favorizon paksa nga të tjerët.
Çfarë pret pas pjesëmarrjes në “The Voice of Albania”?
Shpresoj që edhe pas “The Voice” të mos më mungojnë aktivitetet dhe pse jo, të bëj edhe ndonjë këngë.
Arjola Xhikollari: Finalja do të ishte shpërblimi i sakrificës sime
Arjola Xhikollari ka pasur një rrugëtim emocionues në “The Voice of Albania 2”. Vajza nga Elbasani, e lidhur që e vogël me artin, e cila bën një emision mëngjesi në radio, zgjoi interesin e katër trajnerëve në “Audicionet e fshehura”. Ajo zgjodhi Eltonin. Në fazën e betejave u duk sikur rrugëtimi i saj mbaroi, por Alma vendosi “ta blejë” e ta bëjë pjesë të skuadrës së saj. Tashmë Arjola Xhikollari shkon në “Netët live”.
Sa e pranishme është muzika në jetën tënde?
Kujtimin e parë e kam që në moshën 3-vjeçare. Im atë më bleu një harmonikë të kuqe dhe një fizarmonikë të vogël. Sot i shoh me nostalgji, pasi ato bëjnë lidhjen e historisë sime me muzikën. Në klasën e tretë kam qenë soliste në Qendrën Kulturore të Fëmijëve dhe aty nisi udhëtimi im drejt këngës, për të vazhduar në teatrin “Skampa” në trupën profesioniste të Estradës ku edhe sot vazhdoj të performoj. Çdo ditë zgjohem me muzikën, pasi edhe puna ime në radio (me emisionin e mëngjesit) më mundëson të jem në kontakt me produksionet e fundit muzikore. Prej 8 vitesh punoj gjithashtu me Teatrin e Kukullave për Fëmijë dhe kënaqësia që marr është e papërshkueshme. Grupi me të cilin realizojmë cover të ndryshëm zë një vend të rëndësishëm tek unë. Të gjitha këto që përmenda më ndihmojnë të jap të gjithë dashurinë time në momentin që këndoj.
Cila ishte arsyeja që vendose të bëheshe pjesë e “The Voice of Albania 2”?
Në momentin e parë që vendosa të marr pjesë në “The Voice” kisha të qartë vetëm dashurinë time të madhe për muzikën, pastaj ishte pasioni ai motori lëvizës që më çoi drejt kësaj sfide të madhe.Emocioni që përjetoj në momentin kur këndoj në skenën tashmë më të dashur për mua, përvoja që kam marrë duke punuar me artistë të vërtetë, miqësia me konkurrentët dhe fryma pozitive që mbizotëron mes nesh, nuk njeh çmim dhe janë këto arsyet që me qartësojnë mua se kam marrë vendimin më të mirë të mundshëm.
Një mundësi e dytë e dhënë nga Alma të çoi drejt finales. A është çmimi i madh synimi yt?
Mundësia që Alma më dha, ka qenë surpriza më e bukur e këtij edicioni. E kam pagëzuar si momenti “bittersweet”, i cili zgjoi tek unë ëndrra të mëdha. Arritja në finale do të ishte një shpërblim për të gjithë sakrificën që më është dashur të bëj për të ndjekur “The Voice”. Deri atëherë, shumë punë dhe përkushtim më pret. Më e rëndësishmja: shpresoj të performoj sa më mirë e të kënaqem. Kujtimi i bukur është ai që në fund bën diferencën.
Top Channel