Grabitet me armë argjendaria më e madhe në Elbasan

15/12/2012 00:00

Grabitet me armë një argjendari në lagjen “Luigj Gurakuqi” të qytetit të
Elbasanit. Dy persona me maska dhe të armatosur kanë hyrë rreth orës
19.30 në argjendari, duke u përballur me pronarin i cili është gjendur
përballë tytës së armës pa mundur të bëjë asnjë veprim.

Argjendaria ndodhet pranë stadiumit “Ruzhdi Bizhuta” dhe ka qenë errësirë kur personat janë futur brenda argjendarisë duke përfituar edhe nga momenti kur në rrugë nuk kishte njerëz. Pasi kanë mbledhur një sasi të madhe bizhuterish prej floriri, dy grabitësit janë larguar me shpejtësi nga argjendaria duke zgjedhur një rrugë dytësore pas pallatit për t’u larguar.

Policia e mbërritur në vendin e ngjarjes ka marrë provat e para materiale. Sipas të dhënave është bërë i mundur identifikimi i autorëve dhe po punohet për kapjen e tyre. Gjithashtu është sekuestruar edhe filmimi i kamerave në momentin e grabitjes së argjendarisë. Ende nuk dihet sa është vlera e grabitur, por mësohet se sasia e bizhuterive të floririt është e madhe, pasi kjo argjendari është ndër më të mëdhatë në qytetin e Elbasanit.

Top Channel