Monopoli i markimit të karburantit

13/12/2012 00:00

Pas koncesioneve të shumëpërfolura të pullave fiskale dhe llotarisë
kombëtare, qeveria po përgatitet të transferojë një tjetër shërbim si
monopol tek privati.

Këtë herë bëhet fjalë për kontrollin e cilësisë së karburanteve. Top Channel zotëron draftkontratën e hartuar nga Ministria e Financave, e cila zbulon të gjithë procedurat e ndjekura dhe kushtet financiare të koncesionit me vlerë rreth 15 milionë euro në vit.

Që në fillim të saj, vetë Ministria e Financave pranon se procedura e ndjekur është ajo e koncesionit të pakërkuar nga shteti, që do të thotë se Qeveria po e kthen këtë shërbim monopol privat pas kërkesës së vetë privatit. Emri i kompanisë kërkuese është “Global Fluids International”, një kompani austriake e listuar në bursën e Vjenës, pjesë e një grupi kanadez.

Draftkontrata zbulon se dy vjet më parë kjo kompani i është drejtuar Ministrisë së Financave duke i kërkuar të marrë monopolin e kontrollit të karburanteve. Qeveria ka pranuar dhe në tetor të vitit të kaluar ka nxjerrë këtë vendim, i cili jo vetëm që e miraton procedurën, por i jep kompanisë në fjale edhe një bonus prej 6 për qind të pikëve në tender për idenë e saj. Ndonëse ende nuk është bërë zyrtar, burime konfidenciale bëjnë të ditur se tenderi i zhvilluar është fituar nga një bashkim i tre kompanive, i drejtuar pikërisht prej “Global Fluids”.

Por procedurat e ndjekura nuk janë pika e vetme e dyshimtë. Sipas draftkontratës, kompania do të përfitojë 6.5 euro për çdo ton karburant që qarkullon në Shqipëri. Kjo do të thotë se që nga momenti i hyrjes në fuqi të saj konsumatorët do të paguajnë rreth 15 milionë euro shtesë në vit përmes rritjes së çmimeve, për një shërbim që deri tani e ka kryer me kosto zero inspektoriati teknik.

Në shumicën e vendeve të Europës, markimi i karburanteve bëhet përmes kompanive private në treg të lire, jo monopol. Skema e ndjekur nga ministria e Financave zbatohet në vendet me korrupsion të lartë. Vetë kompania “Global and Fluids”, ka vetëm tre kontrata të ngjashme me këtë që do të lidhë në Shqipëri, të cilat janë në Ruanda, Uganda dhe Tanzania. Në dy vitet e fundit, qeveria ka kaluar përmes procedurave shpesh të shumëdebatuara një sërë shërbimesh të detyrueshme si monopol tek privatët, në kontrata që garantojnë të ardhura dhjetëra milionë euro në vit, kostoja e të cilëve paguhet nga qytetarët.     

Top Channel