Vlorë, katër doganierë në pranga

12/12/2012 00:00

Katër doganierë të pikës kufitare të Qafë Botës kanë rënë në prangat e
policisë së Vlorës, e cila i akuzon se kanë lejuar kalimin e një kamioni
me mallra kontrabandë. Bashkë me ta, është arrestuar edhe tregtari i
cili dyshohet se ka kryer aktivitetin e paligjshëm.

Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë, deklarojnë se: “ditën e djeshme është finalizuar me sukses operacioni i koduar “DOGANA 2”, gjatë të cilit është bërë arrestimi në flagrancë për kontrabandë me mallra të tjera  i shtetasit: Guro Haxhiraj, 42 vjeç, tregtar. Arrestimi i këtij shtetasi u krye pasi gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm ka kaluar në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë-Botë një kamion të ngarkuar me mallra të ndryshme elektro-shtëpiake me vlerë rreth 5 milione lekë,  të cilat i kishte blerë në Greqi dhe i kishte importuar për në Shqipëri, pa paguar detyrimet doganore.

Gjithashtu në vijimësi të këtij operacioni nga Strukturat Kundër Krimit Financiar në Drejtorinë e Policisë Qarkut Vlorë është bërë arrestimi në flagrancë për Kontrabandë nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore, edhe 4 i shtetasve: Kristaq Naço, 41 vjeç, banues në Sarandë, Genci Bejko, 41 vjeç, banues në Gjirokastrër, Migjen Nushaj, 31 vjeç, banues në Tiranë dhe Erjon Ademi, 31 vjeç, banues në Sarandë, të katërt me detyre doganierë në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë-Botë – Sarande.

Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë lejuar shtetasin Guro Haxhiraj të kalojë kamionin tip “Benz” me mallra kontrabandë duke ju shmangur detyrimeve doganore”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për ndjekje të mëtejshme penale për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjerë” dhe “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”.

Top Channel