Banorët e Shëndëllisë në Sarandë janë të gjithë nga rrethet e veriut të
vendit. Sic thonë vetë ata, popullimi i kodrës nisi rreth vitit 1996 kur
në stallat e ish-kooperativës së Vrinës u vendosën disa familje nga
Mirdita.

Të tjerë punëtorë krahu për bujqësinë e blegtorinë u vendosën përreth kishës ortodokse të Shën Ilias në respekt të së cilës banorët emërtuan edhe fshatin e ri.

Sot në Shëndëlli jetojnë më shumë se 60 familje nga malësitë e Pukës, Mirditës, Dibrës, Kukësit dhe Lezhës.
Banorët thonë se nuk i njohin asnjë meritë qeverisjes për integrimin e tyre në jetën e banorëve jugorë. Ata kanë ndërtuar vetë shtëpitë kanë siguruar linjë për energjinë elektrike dhe ujin e pijshëm, ndërsa fëmijët ndjekin shkollën e fshatit Vrinë e vendosur rreth 4 km larg, aks që e përshkojnë cdo ditë me këmbë.

Përveç mikpritjes dhe bujarisë së vendasve nuk patëm asnjë ndihmë tjetër thotë Luftar Lleshi një prej banorëve të vendosur më herët në këtë zonë.

Gjela nënë e shtatë fëmijëve thotë se i ka rritur fëmijët  në Jug të vendit duke ruajtur traditat e vendlindjes e duke respektuar ato që gjetën mes banorëve të jugut. Ajo thotë se kisha ortodokse e braktisur vite më parë u shërben të gjitha besimeve pavarësisht se të ardhurit janë katolikë dhe myslimanë.

Fshati tashmë i konsoliduar i Shëndëllisë zyrtarisht pjesë e komunës Xarrë, megjithëse e ka përmirësuar nivelin e jetesës ndër vite ende vuajne mungesa të shumta në infrastrukturë dhe shërbime. Banorët punojnë në bujqësi dhe blegtori ndërsa një pjesë e tyre kanë emigruar në Greqi.
 

Top Channel