Sokol Balla ishte i ftuari i radhës në emisionin “Pasdite në Top Channel”, ku foli për çmimin me të cilin u vlerësua dokumentari i tij “Djemtë e përçarë të Amerikës”, karrierën si gazetar dhe familjen.
Cmimi – Ishte një vlerësim i papritur për mua, por e mirëprita sepse kam harxhuar shumë kohë. Kam që nga viti 1994 që mbledh intervista dhe materiale për këtë dokumentar. Ka qenë punë e jashtëzakonshme e Elis Krujës, Edvina Gajos, Erena Haskës e Denada Sadikut. I falenderoj shumë për ndihmën e madhe që më kanë dhënë. Ky çmim ishte padyshim vlerësim për të gjithë TOP-in.
Dokumentari – Kam pasur biseda me bashkëpunëtorë të ngushtë të Nolit. Histori të pabesueshme konliktesh mes patriotëve si Noli-Konica. Ai dokumentar është një metaforë në kohë e asaj që shohim edhe në ditët e sotme. Suksesi i atij dokumentari mendoj se janë kritikat ndaj disa figurave të shquara. Ka disa tema polemizuese që kanë lidhje me komunitetin shqiptar jashtë vendit.
Politika – Nuk e kam dëshirën për të hyrë në politikë sepse unë them gjërat që mendoj dhe politika nuk funksionon kështu. Politikanët shqiptarë nuk kanë ndryshuar sepse janë po ata të mëparshmit. Nuk besoj se gjatë rrugës mund të ndryshojnë karakterin dhe kjo ndodh edhe me politikanët tanë. Ata mund të ndryshojnë sjelljen, por jo karakterin.
Karriera – Kur kam nisur debatet e mia televizive vura re që politikanët ishin edukuar keq. Ata i shmangeshin pyetjeve dhe thonin atë që donin. Unë mundohem që në punën përgatitore të bëj një intervistë koherente që të tërheqë publikun. Nuk bëj super të zgjuarin kur kam përballë një të ftuar.
Udhëtimet – Kam udhëtuar në shumë vende, rreth 90 shtete. Në pushimet e verës, njeriu kërkon më të mirën për familjen. Ndërsa në raste të tjera nuk jam i fiksuar pas hoteleve luksoze.
Familja – Emrat e fëmijëve i ka vënë gruaja: Kolin dhe Belen. Janë shkurtimet e emrave tanë, Sokol dhe Belinda. Atësia të bën më të përgjegjshëm dhe të bën të kuptosh se nuk jeton për veten, por për ata.
Top Channel