Babai i Julianit: Është mbyllur kjo punë!

07/12/2012 00:00

Familjarët e 10-vjeçarit të zhdukur prej tetë ditësh vazhdojnë kërkimet
për gjetjen e Julianit, duke verifikuar çdo informacion të mbërritur në
polici dhe në numrat e afisheve që kanë vendosur në të gjithë
kryeqytetin, në kryqëzime dhe pranë shkollave.

Ata kanë kontrolluar në zonat ku u kanë thënë, madje harta e kërkimeve e ka kaluar edhe Tiranën, pasi informacione ka kudo, por pa asnjë rezultat. Të afërmit e Skënder Çelës, i cili mban postin e nëndrejtorit të antiterrorit në SHISH, qëndrojnë në gatishmëri prej ditësh në zonën e Laprakës dhe në momentin që ka një telefonatë, ata nisen drejt vendit të caktuar. Megjithatë, asnjë prej tyre nuk ka ndonjë dyshim apo provë të fortë për këtë zhdukje të mistershme.

Te “Komuna e Parisit”

Një nga informacionet që u verifikua dje, ka qenë ai i ardhur nga një qytetar i thjeshtë, që pohonte se e kishte parë Julianin në zonën e “Komunës së Parisit”. Madje telefonuesi ishte i bindur se ishte pikërisht i zhdukuri, pasi e kishte njohur nga fotografitë të vendosura në shtylla dhe mure. Ai ishte një djalë i imët, i veshur me xhinse dhe me bluzë. Në kokë kishte një kapuç dhe telefonuesi pretendonte se i ngjason jashtë mase Julianit, nisur edhe nga fotografia e botuar. Menjëherë në drejtim të vendit u nisën familjarët. Ata morën koordinatat e duhura dhe në kohë rekord shkuan te “Komuna e Parisit”. Arritën që të takonin djalin dhe konstatuan se i mituri nuk ishte Juliani, megjithëse i ngjasonte shumë. Të zhgënjyer shkuan sërish në zonën e Laprakës dhe në pritje të ndonjë sinjali që mund të vinte nga policia apo edhe nga qytetarët.

“Mbaroi kjo punë!”

Informacionet e shumta që mbërrijnë për zhdukjen e Julianit duket se i kanë lodhur pjesëtarët e familjes. Skënder Çela nuk komunikon me njeri, madje edhe interesimit të vazhdueshëm mediatik u është përgjigjur shkurt dhe prerë, duke mos bërë shumë hamendësime. Në një komunikim telefonik me gazetën “Shqip” ai është pyetur nëse ka ndonjë informacion për zhdukjen e 10-vjeçarit, ndërsa tha shkurtimisht se nuk ka. Gazeta e pyeti nëse ka marrë ndonjë të re nga policia dhe zyrtari i SHISH-it sërish në mënyrë të prerë vijoi se “policia po bën detyrën e saj”, dhe më pas lëshoi një fjali befasuese, duke u shprehur se “mbaroi kjo punë!”.

Bashkëpunimi me policinë

Familjarët e Julianit 10-vjeçar kanë mbajtur kontakte të vazhdueshme me Policinë e Tiranës, e cila është angazhuar për zbardhjen e kësaj ngjarjeje misterioze, megjithëse deri më tani nuk ka asnjë të dhënë për rrëmbim. Dje paradite, Skënder Çela ka shkuar sërish në Policinë e Tiranës dhe ka informacione se ka takuar dy zëvendësdrejtorët, të cilët po merren personalisht me këtë ngjarje, pasi drejtori është në Itali. Burimet policore shprehen të rezervuara në dëshminë e Skënderit, ndërsa pohojnë se qëllimi ka qenë bashkërendimi i informacioneve. Zyrtari i SHISH, duke e ditur mjaft mirë vjeljen e informacionit, i ka kërkuar policisë vetëm gjetjen e fëmijës, pa dashur të japë shpjegime rreth aktivitetit të punës së tij. Ai u ka kërkuar që të verifikojnë çdo informacion për zhdukjen misterioze të të birit.

Foto në shtylla e mure

Të afërmit e Skënder Çelës, të cilët kanë ardhur edhe nga rrethet për të kërkuar Julianin, kanë vijuar edhe dje, në ditën e tetë të zhdukjes, vendosjen e fotografive në shtylla dhe mure në kryeqytet, duke i kërkuar çdo qytetari që mund ta ketë parë 10-vjeçarin të telefonojë në polici apo te familja. Ata pohojnë se do ta vijojnë këtë nismë, si mbështetje për familjen Çela, e cila gjendet në një situatë të vështirë. Të kontaktuar nga gazeta, ata shprehen se kontrollet do të shtrihen edhe në qytete të tjera, megjithëse vëmendja kryesore do të mbetet në Tiranë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel