Zhduket djali i nëndrejtorit të antiterrorit në SHISH

06/12/2012 00:00

Djali 10-vjeçar i nëndrejtorit të antiterrorit në SHISH, Skënder Çela,
rezulton i zhdukur prej shtatë ditësh, ndërsa familjarët vijojnë
kërkimet në të gjithë Tiranën. Juliani është parë për herë të fundit,
kjo edhe nga dëshmitë e disa personave, pranë një qendre interneti në
zonën e Laprakës, ku edhe banon familja Çela, dhe më pas nuk ka lënë
asnjë gjurmë, me gjithë informacionet e banorëve “se e kemi parë këtu
dhe atje”.

Ditën e premte, më 30 nëntor, Juliani nuk kishte shkuar në shkollë, pasi ishte ditë pas festave dhe oraret e mësimit nuk ishin të plota. Paradite ka qëndruar në shtëpi dhe shkëputja e linjës së internetit e ka detyruar për të shkuar në një qendër interneti që ofron edhe lojëra. Pasi ka ngrënë drekë, rreth orës 14:00, ka dalë nga banesa dhe ka takuar disa shokë. Më pas shkoi në qendrën e internetit, e cila ndodhet disa metra larg banesës së tij. Pronarja e qendrës së internetit, e cila është personi që e ka parë dhe identifikuar për herë të fundit, u ka thënë familjarëve dhe policisë se Juliani ka tentuar të ulet në një kompjuter, por të gjithë ishin të zënë. Ai ka qëndruar disa minuta, madje i ka ofruar edhe pronares, e cila quhet Roza, edhe një flamur, ndërsa është thirrur nga një person që ende nuk është identifikuar.

Pikërisht ky detaj për familjarët dhe për policinë është mister. Pronarja e qendrës së internetit thotë se ka qenë me shpinë nga rruga, ku edhe ka qëndruar personi që e ka thirrur, ndërsa i ka dëgjuar vetëm zërin. Ai e ka thirrur në emër, dhe, sipas Rozës, Juliani ndoshta e njihte këtë person, pasi është larguar me shpejtësi dhe mimika e fytyrës linte të kuptoje se ishte thirrur nga një shok. Pas daljes nga kjo qendër, 10-vjeçari nuk është parë dhe vendndodhja nuk është identifikuar nga askush, megjithëse disa dëshmitarë kanë pohuar për familjarët se e kanë parë te shinat e trenit, në rrugën “Josif Pashko”, në Laprakë.

Në orët e vona të së premtes, familja Çela, duke vënë re mungesën e Julianit, ka dalë për ta kërkuar. Babai i tij, Skënder Çela, ka shkuar te banesat e shokëve të tij që janë në Laprakë. Në asnjë prej këtyre banesave nuk ishte, ndërsa u kontrollua edhe te qendra e internetit. Kërkimet kanë vijuar për orë me radhë, madje edhe natën duke u gdhirë e shtuna, megjithëse pa rezultat. Shumë persona kanë thënë se e kishin parë këtë djalë, i cili ditën që u zhduk, kishte veshur një palë xhinse dhe bluzë të trashë me kapuç, në shumë vende, por askush prej tyre nuk e ka njohur Julianin. Dëshmia më e rëndësishme është ajo e Rozës, ndërsa të gjithë të tjerët kanë treguar vetëm hamendësime dhe detaje pa vlerë. Ditën e shtunë, familja ka kontaktuar edhe policinë, e cila shpërndau foton e Julianit në të gjitha drejtoritë e policisë në qarqe, ndërsa më parë e kishte dërguar informacionin edhe në komisariatet në Tiranë. Sërish asnjë informacion i saktë, ndërsa familja Çela ka njoftuar edhe të afërmit e tjerë. Duke qenë se janë fis i madh, ata kanë kërkuar dhe verifikuar çdo informacion. Behari, djali i tezes së Skënderit, i cili është edhe komshi me ta, thotë për gazetën “Shqip” se “Juli ishte një djalë i qetë, fjalëpakë, por shumë i lëvizshëm”. Ai thotë se asnjëherë më parë 10-vjeçari nuk është larguar nga banesa në këtë mënyrë, ndërsa tregon edhe për dyshimet e familjarëve.

I pyetur nëse zhdukja mund të ketë lidhje me punën e Skënderit në Shërbimin Informativ Shtetëror, thotë se nuk përjashtojnë asnjë pistë, megjithëse dyshimet më të mëdha i kanë te ndonjë rrëmbim nga shpërndarësit e drogës në Laprakë. Ai thotë se Juli ishte djalë i shkathët, çka mund t’i ndihmojë trafikantët në arritjen e objektivit të tyre. “Skënderi punon prej rreth 20 vitesh në SHISH dhe nuk besoj se zhdukja të ketë lidhje me detyrën, megjithëse policia ka bërë verifikimet e nevojshme, duke marrë edhe deklarimet e familjarëve. Ne besojmë se mund ta ketë marrë ndonjë person dhe e mban në ndonjë ndërtesë të braktisur, ku edhe qëndrojnë për të shpërndarë lëndë narkotike. Qëllimi ynë është të informojmë anekënd për këtë zhdukje dhe kërkojmë ndihmën e çdokujt, policisë, medias dhe qytetarëve të thjeshtë, nëse e kanë parë Julianin”, vijon Behari. Familja Çela është në ankth për ndodhinë e mistershme, ndërsa e gjithë Lapraka është vënë në lëvizje për të gjetur detaje nga zhdukja e 10-vjeçarit.

Gazeta “Shqip”

Top Channel