FATOS BAXHAKU – “I have a dream”, tha Kryeministri në shqip, teksa
ministrat e qeverisë ishin ngucur me siklet në dhomën e parë qeveritare
në Vlorë. Kjo ëndërr, që nuk e paskëshim ditur, qenka ajo e jetës së
tij: të gjithë shqiptarët, kudo në botë, të kenë nënshtetësinë
shqiptare! Gjë fort e bukur nëse nuk e ke mendjen.
Tek e fundit ç’na gjeti se do të bëjmë disa pasaporta më shumë dhe do të ndihemi edhe më shumë së bashku. Kjo është gjëja më e parë që të shkon ndërmend nëse nuk e ke fort mendjen në këto që po ndodhin, porse shtetësia si koncept, duke përfshirë këtu edhe atë shqiptare, nuk është një gjë fort e kollajtë, nuk është vetëm një ëndërr patriotike e realizuar dhe kaq. Me pak fjalë nuk është si lexim jashtë klase, si të lexosh me ëndje Naimin, Mjedën apo Pashko Vasën. Është një gjë vërtet e rëndësishme aq sa, nëse luhet me të, shndërrohet në të rrezikshme.
Berisha vetë tha se këtë ëndërr synon ta realizojë jo për qëllime elektorale, porse thjesht sepse kështu kishte ëndërruar prej kohësh. Sikur të ishte e vërtetë e para, pra sikur të gjitha deklaratat e fundit nacionalisto-absurde t’i thoshte në sfond të zgjedhjeve, kjo, hajde, edhe mund të kishte kuptim, porse ai vetë e pranoi. Ai ëndërron dhe pikë. Me pak fjalë kjo është një punë e tija personale, që buron nga historia e tij, nga formimi, nga lidhjet familjare, nga bindjet e tij. Se çfarë mendojnë të tjerët për të nuk ka fare rëndësi. Se çfarë mendon Partia Demokratike, anëtarët me mend të qeverisë, deputetët që ai drejton, opozita shqiptare, fqinjët që na rrethojnë e me të cilët më në fund kemi rastin të shkojmë një jetë të paqtë, komuniteti ndërkombëtar prej të cilëve jemi kaherë të varur me gjithë 100-vjetorin e lavdishëm të Pavarësisë, në fund të fundit se çfarë mendojnë shqiptarët vetë, për atë nuk ka fort rëndësi, ai ka ëndërruar dhe pikë.
Sa për analogji e për të qeshur pak, andej nga fundi i viteve ’80, djemtë më të hedhur të Tiranës kishin sajuar një gallatë. Ata kishin variantin e tyre për (vetë)vrasjen e Mehmet Shehut më 1981. Duke bërë shaka ata thoshin se të gjithë këtë e kishin kurdisur jugosllavët. Enveri kishte bllokuar hyrjen e sinjalit televiziv të stacionit të tyre të parë, por e kishte shumë të vështirë të frenonte të dytin. Ky, të premteve vonë, transmetonte filma erotikë. Djemtë e Tiranës ishin të bindur se pikërisht këtu kishte nisur kriza e fortë e Enverit, që hartoi listat për eliminimin e bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë. Shefi i rojave, Sulo, hapte bllokun një herë në muaj dhe thoshte: “Sot e ka radhën filani. Një natë dhjetori Enveri ngrihet si i lebetitur nga shtrati, pasi kishte parë një ëndërr të keqe dhe thërret fort: “Sulooo! Ma hiq qafe Mehmenë!”. Sulo i ngratë kontrollon listat, por nuk e gjente gjëkundi emrin e Kryeministrit. “Por nuk e kemi në listë shoku Enver”, ngre supet shërbëtori besnik. “Nuk di gjë unë! Mehmenë paçë në ëndërr”, u përgjigj Enveri. Kështu është kjo puna e ëndrrës.
Kështu, që Kryeministri të mos bëhet objekt barsoletash të tilla, dikush prej njerëzve që e rrethojnë e që i ka dy fije mend (dhe të tillë ka plot me sa besojmë ende ne) duhet të kujtohet t’i pëshpëritë në vesh, qoftë edhe më ndrojtje, se duke ëndërruar po e fut vendin, por edhe rajonin, në një klimë mosbesimi e tensioni nacionalist e të frikshëm. Së pari, duhet t’i thotë se çfarë rrëmuje do të ndodhte sikur shqiptarët e Kosovës dhe ata të Maqedonisë e Malit të Zi befas të ishin shtetas shqiptarë. Atëherë do të lindte pyetja, po atëherë a kanë më kuptim këto shtete të pavarura. Indirekt, me dashje, apo pa dashje, Berisha ka thënë tezën më të avancuar nacionaliste që qarkullon sot në Ballkan, sipas së cilës Kosova dhe Maqedonia nuk kanë kuptim të ekzistojnë si shtete më vete. E thënë nga ndonjë politikan i dorës së dytë, apo nga ndonjë qytetar nostalgjik, kjo tezë edhe mund të dëgjohej pa u përfillur, por e thënë nga numri një i një qeverie që pretendon të jetë serioze, kjo gjë është e rëndë, fort e rëndë.
Pastaj, le ta zëmë se këto që thamë më lart janë një alarm i rremë liberalo-globalist. Le ta zëmë se në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi të gjithë shqiptarët do të jenë shtetas të Republikës së Shqipërisë. Kryeministri e di fort mirë se nënshtetësia nuk është thjesht një dekoratë nderi. Shteti shqiptar e ka për detyrë t’u përgjigjet shtetasve të vet, në shkolla, sigurime shëndetësore e shoqërore, në ruajtjen e rendit e të drejtësisë. Me pak fjalë, nëse u ndodh diçka këtyre, nëse ndokush u bie me të padrejtë në qafë ta zëmë, çfarë do të bëjmë? Do të dërgojmë policët tanë të lodhur në Maqedoni e Kosovë? Po këto janë shtete sovrane! Si i bëhet? Po pensione do t’u lidhim këtyre?
Çështja është e lidhur edhe me një problem tjetër, shumë të vështirë. Ç’do të thotë të jesh shqiptar? A mjafton vetëm të flasësh shqip e të rrahësh gjoksin ndër festa? Cilat janë kriteret juridike e teknike që do ta përcaktojnë këtë? A e meritojnë të gjithë ata që flasin shqip e që deklarohen si shqiptarë nënshtetësinë shqiptare? Autori i këtyre radhëve për shembull mendon se jo. Ka shumë në mesin tonë që nuk e meritojnë aspak, e madje duhet t’u ishte hequr me kohë, nëse këtë do ta lejonin ligjet e Republikës së Shqipërisë. Përveç ëndrrës së tij të bukur patriotike, Kryeministri duhej të kishte ëndërruar edhe këto pikëpyetje, madje edhe disa të tjera që po e armiqësojnë vendin më kot me fqinjët më të afërt dhe me miqtë më të largët.
Të gjithë kemi ëndërruar e ëndërrojmë në këtë jetë. Dikush do të donte një shtëpi të bukur në mal apo në anë të liqenit, dikush tjetër të kalonte një natë me Sheron Ston, dikush të kishte një thes me flori e të bënte pallë gjithë jetën, të tjerë… ëndrrat janë pa fund, por vetëm pak janë të realizueshme. Sa njerëz të lumtur keni njohur në jetë, vetëm pak, apo jo? E pra pikërisht këta janë ata që kanë realizuar ëndrrat. Sa për të tjerët… Kështu si kanë ardhur punët duhet uruar që edhe ëndrra e Kryeministrit të mbetet vetëm në atë fjalinë që tha në Vlorë, në mos do të ndodhemi për arsye ëndërrimtare në mes të një katrahure pa anë e pa fund, që do të kthehet befas nga historia jonë fort e trazuar ballkanike.
Top Channel