“Në total, shuma e investuar deri në fund të këtij mandati parashikohet të jetë 240 mln dollarë dhe në veçanti për vitin 2013, shuma për qytetin e Tiranës është 80 mln”.
Me këto shifra, kryetari i Bashkisë së Tiranes ka prezantuar projektbuxhetin e vitit 2013 para qytetarëve të njësive vendore 8, 9 dhe 10.
Duke vënë në dukje se ky projektbuxhet është 10 milionë dollarë më i madh se i vitit që po lëmë pas, kryebashkiaku i Tiranës vuri në dukje disa risi, ku në planin strategjik veçoi miratimin e një fondi prej 1 milionë e 250 mijë eurosh nga qeveria franceze dhe Bashkimi Europian për studimin e linjave të tramit nga Kombinati në Kinostudio, nga Tirana e Re te Stacioni i ri i Trenit nëpërmjet bulevardit, si dhe linjën e tramit, që do të qarkojë qytetin.
Kryebashkiaku i Tiranës e cilësoi këtë një investim gjigand, që do të shndërrojë transportin publik në Tiranë si më të preferuarin në qytet, për të gjitha kategoritë e qytetarëve.
“Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për sjelljen e tramit në Tiranë, por bëhet fjalë për një revolucion të madh në mënyren se si lëvizim ne në Tiranë dhe ata që vijnë në qytetin tonë në mënyrë të përditshme. Pra, një lëvizje, e cila duhet dhe do të rezultojë në përfundim të këtij procesi, në një ulje drastike të përdorimit të automjeteve private në qytet, në dedikim korsish për transportin publik, në ajër më të pastër, lëvizje më të shpejtë dhe më pak të kushtueshme për qytetarët e Tiranës dhe të gjithë ata që gjenden në qytetin tonë”, tha Basha.
Në projektbuxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2013 është parashikuar, sipas zotit Basha, jo vetëm konsolidimi i bizneseve aktuale, me lehtësi fiskale për disa biznese të veçanta si librashitësit, kopshtarët dhe artizanët, por dhe nxitja e bizneseve të reja dhe punësimit.
Risia tjetër, që kreu i Bashkisë së Tiranës prezantoi, ishte krijimi i Fondit të Garancisë për kreditimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të hapura nga të rinjtë e Tiranës nën moshën 35 vjeç. Ky fond, që nxit punësimin e të rinjve, sipas zotit Basha do të jetë fillimisht 1 milion euro, por pritet të rritet me kontributin e qeverisë dhe partnerëve të huaj.
“Detyra e këtij fondi është të ecë me ritëm të shpejtë, të kreditojë dhe të ndihmojë kreditimin e sa më shumë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të reja, të hapura nga rinia e kryeqytetit”, tha Basha.
Kryebashkiaku Basha, në bashkëbisedim me banorë të njësisë 8, 9 dhe 10, paraqiti të detajuar investimet e parashikuara për këto njësi vendore, ku bie në sy se investimet janë parashikuar në bllok, që domethënë jo vetëm asfaltim rruge, por dhe kanalizime, ambjente të gjelbërta, kënd lojrash për fëmijë dhe ndriçim.
Basha tha se në të gjitha njësitë bashkiake në Tiranë do të konsolidohet premtimi tjetër elektoral i tij, që investimet e propozuara në buxhet të realizohen plotësisht, duke i dhënë fund, sipas tij, praktikës së lënies së tyre përgjysmë për mungesë projektesh efikase.
Top Channel