U mbush plot një vit, që politikani dhe shkrimtari Sabri Godo u nda nga jeta, në moshën 82-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë.
Në nderim të figurës dhe veprës së tij, në mjediset e Teatrit Kombëtar, në Tiranë, u mbajt një ceremoni përkujtimore. Kryeministri Berisha e cilësoi Godon si një gjeni të kurajos dhe mendjes shqiptare.
“Le të përulemi sot me nderimin më të madh para veprës së tij të ndritur. Por, le të shprehim gjithashtu krenarinë tonë, që sot pas një viti e gjejmë këtë burrë disa herë më të madh, se sa ditën që u nda nga ne”, tha Berisha.
Familjarë, miq dhe dashamirës të tij, ndër të cilët edhe personalitete të politikës e letrave shqipe, si dhe ambasadorë të akredituar në Tiranë, kanë kujtuar njeriun e mençur, i cili është përpjekur gjatë gjithë jetës së tij për çështjen kombëtare.
“Sot, por edhe në përvjetoret që do të vijnë, Sabri Godo do të mbetet një shkrimtar i madh, një politikan, i cili ka synuar gjithmonë marrëveshjen e kompromisin dhe një njeri, që e zotëronte si askush tjetër, artin e të qenit njeri”, tha Bardhyl Londo, shkrimtar.
“Kemi patur një raport shumë miqësor, një respekt reciprok, i cili nuk buronte nga përkatësia politike jonë, por nga marrëdhëniet njerëzore, që kishim me njëri-tjetrin”, tha Paskal Milo, kreu i PDS-së.
Gjatë mbrëmjes përkujtimore është shfaqur edhe një dokumentar kushtuar jetës dhe veprimtarisë letrare, por edhe politike, të Sabri Godos. Në të, ai ka ardhur edhe një herë i gjallë nëpërmjet intervistave të mëparshme dhe rrëfimeve të atyre që e njohën nga afër.
Top Channel