KQZ miraton planin orientues

06/12/2012 00:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar paraditen e së enjtes planin orientuese të veprimeve që do të ndërmarrë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Sipas informacioneve të fundit nga ky institucion, plani orientues i veprimeve është miratuar në tërësi me 7 vota pro dhe asnjë kundër.

Ditën e hënë presidenti i Republikës, Bujar Nishani dekretoi mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare më datë 23 qershor 2013.

Në një njoftim për shtyp të Presidencës sqarohej se, dekretimi ishte bërë në bazë të neneve 92 (shkronja “Gj”) dhe 93 të Kushtetutës së vendit, si dhe të nenit 9, paragrafi 1 të ligjit 10019 të Kodit Zgjedhor.

“Zgjedhjet për Kuvendin do të zhvillohen ditën e diel, më datë 23 qershor 2013. Ky dekret hyn në fuqi menjëherë”, thuhej në njoftimin e zyrës së zotit Nishani.

Rreth një muaj më parë, presidenti Nishani u takua me të gjithë krerët e partive parlamentare në kuadër të konsultimeve për të vendosur datën e zgjedhjeve të përgjithshme.

Përmes një axhende të mirëpërcaktuar, kreu i shtetit priti në Presidencë me radhë të gjithë përfaqësuesit politikë, në një diferencë kohore nga njëri-tjetri prej 60 minutash.

Takimi i parë ishte me kryetarin e grupit parlamentar të mazhorancës Astrit Patozi, ndërsa 60 minuta më pas me atë të socialistëve Gramoz Ruçi.

Më pas ishte radha e Lefter Kokës nga LSI dhe Fatmir Mediut nga PR. Ndërkohë, Vangjel Dule i PBDNJ dërgoi zëvendësin e tij Thanas Poçi, i cili shprehu mbështetjen për datën 23 qershor.

Takimi i fundit me krerët e grupeve parlamentare ishte me Shpëtim Idrizin e PDIU-së. E vetmja parti parlamentare që nuk ishte ftuar në takim ishte Fryma e Re Demokratike, që u krijua këtë vit dhe që përfaqësohet në Kuvend nga deputeti Gazmend Oketa.

Përveç buzëqeshjeve zyrtare dhe shtrëngimit të duarve përpara kamerave, nga të pranishmit nuk pati deklarata zyrtare për brendinë e takimeve. Por nga burime të besueshme u mësua se për datën e zgjedhjeve, dy partitë e medha, PD dhe PS, kishin pasur të njëjtin qëndrim.

Në bazë të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor ishin dy datat e mundshme kur mund të mbaheshin zgjedhjet e përgjithshme, data 23 dhe data 30 qershor.

Qoftë demokratët, qoftë socialistët, por edhe Lëvizja Socialiste për Integrim ishin pro vendosjes së datës 23 qershor, si dita kur do të mbahen zgjedhjet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB