Gërdec, shënohet viktima e 28-të

06/12/2012 00:00

Tragjedia e Gërdecit vijon të shkaktojë viktima. Tushe Osmani, 50 vjeçe,
ka vrarë dje veten. Akti i vetëflijimit vjen pas vdekjes së të bijës,
Resmies 19-vjeçare, nga shpërthimi i 15 marsit 2008 dhe vetëvrasjes së
bashkëshortit, Kujtimit, në vitin 2009.

Ky i fundit piu helm, për shkak të depresionit për humbjen e së bijës së vetme, ndërsa morti është ulur sërish në familjen Osmani, e cila, pas më shumë se katër vite nga shpërthimi tragjik, ka tre pjesëtarë më pak.

Familjarët dhe banorët e Vorës dhe Gërdecit pohojnë se Tushja ishte e braktisur. Ajo rriste mbesën e lënë jetime, vajzën e Resmies, të cilën e shoqëronte kudo. Të afërmve u thoshte se nuk e mbante dot mbesën e vogël me bukë. Shteti i kishte lidhur një pension prej 50 mijë lekësh të vjetra vajzës së lënë jetime, para të cilat nuk i dilnin as për të veshur.

E.Kruja, një nga të mbijetuarat e tragjedisë, pohon se e ka takuar 24 orë para se të vetëflijohej. “Jo më larg se dje kam biseduar me të dhe me lot në sy më ka thënë që s’mund ta mbante dot mbesën e vogël që e kishte kapur për dore”, thotë Kruja, ndërsa G.Durda thotë se “e kam takuar para disa ditësh, në darkë vonë, tek po kthehej nga puna dhe më thoshte që ishte tepër e lodhur nga gjithçka”.

Në një periudhë të shkurtër kohe, kur duhej të gëzonte për ardhjen e mbesës së vogël, 50-vjeçarja është ndeshur me dy morte, vajzën dhe bashkëshortin, ndërsa ka vuajtur edhe indiferencën e shtetit. Pas Gërdecit, qeveria i kishte dhënë vetëm 150 mijë lekë të vjetra. Ka humbur të bijën nga shpërthimi tragjik dhe kjo e ka lënduar shumë. Banorët e Gërdecit thonë se Tushja kishte rënë shpirtërisht e moralisht, ndërsa i duhej të punonte shumë për të mbajtur familjen, të cilës i kishin mbetur vetëm djali dhe mbesa. Ishte bërë nënë e dytë për vajzën e Resmies, të cilës i ka qëndruar gjithmonë pranë.

Tushe Osmani, sipas banorëve, është gjetur në grahmat e fundit të jetës në shtëpinë në Vorë. Ajo kishte pirë një sasi të konsiderueshme ilaçesh, ndërsa është transportuar me shpejtësi drejt spitalit “Nënë Tereza”, ku edhe ndërroi jetë disa çaste më vonë.

50-vjeçarja, sipas burimeve policore, ka përsëritur aktin e të shoqit, Kujtimit, i cili bëri të njëjtin veprim, i lodhur nga indiferenca dhe braktisja e shtetit. Kujtimi ishte lënë në mëshirë të fatit pas ngjarjes. Jetesa i ishte bërë e vështirë. Nuk kishte një strehë dhe me paratë e shtetit paguante vetëm paratë e qerasë. Pas 15 marsit 2008 kishte filluar pijen dhe kishte kaluar në depresion për humbjen e së bijës, ndërsa ishte pushuar edhe nga puna në Bashkinë e Vorës. Gjendja e vështirë ekonomike e kishte detyruar Kujtimin të apelonte disa herë për ndihmë, por thirrjet e tij duket se kanë rënë në vesh të shurdhët. Familja e tij ishte pjesë e banorëve të prekur nga tragjedia e Gërdecit që u harruan bashkë me të tjerë. Para aktit u kishte thënë familjarëve, se do të shkonte te goca e tij, pasi nuk e shikonte dot në mur fotografinë e saj.

Ndërkohë, Resmie Osmani, më 15 mars 2008, humbi jetën në moshën 19-vjeçare, si pasojë e tragjedisë së Gërdecit. Ajo punonte në fabrikën e demontimit të predhave në Gërdec. Si çdo ditë ajo ndodhej në punë edhe mesditën e 15 marsit, kur ndodhi shpërthimi i rreth 700 tonëve barut dhe shkaktoi vdekjen e saj e të 25 personave të tjerë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel