SHBA: Shqipëria, jo drejtim nacionalist

05/12/2012 20:30

Që prej fillimit të muajt gusht, Jonathan Moore mban detyrën e drejtorit të Zyrës për Çështje të Europës Jugore e Qendrore, Byroja e Çështjeve të Europës dhe Euroazisë. Një diplomat karriere, Moore është një njohës i mirë i çështjeve të rajonit pasi më parë ka shërbyer si ambasador në Bosnjë. Në një intervistë për Top-Channel zoti Moore fillimisht komenton vizitën e një muaji më parë në Tiranë të sekretares Clinton, si jashtëzakonisht të rëndësishme.

Fillimisht ai i jep përgjigje pyetjes se, si e shikon intensifikimin e retorikës nacionaliste nga politikanët në Shqipëri, përfshirë edhe kryeministrin dhe vlerëson se kjo valë retorike nacionaliste po rritet për shkak të vakumit të besimit të humbur të qytetarëve në sistemin që kemi aktualisht.

Jonathan Moore: Do të vija në dukje një numër gjërash duke qënë se kam avantazhin të punoj me shtatë vende në rajon. Mendoj se kemi parë pasoja të tmerrshme, përfshirë krime lufte, nga nacionalizmi i tepruar, në veçanti ato që kanë përfshirë serbët etnikë dhe Serbinë nën shërbimin e Milosheviçit. Kemi parë gjithashtu nacionalizëm të tepruar nën regjimin e Tuxhman në Kroaci. Nacionalizmi është diçka që të gjithë ne duhet ta luftojmë. Kam dëgjuar gjithashtu se ka shumë njerëz këtu në Shqipëri të cilët janë të frustruar me Partinë Demokratike e me Partinë Socialiste, apo dhe parti të tjera, dhe tërhiqen më shumë nga lëvizje dhe ide që janë më shumë nacionaliste. Por më lejoni t’ju them se kam besim se Shqipëria dhe shqiptarët kanë tani sovranitetin e tyre, shtetin e tyre demokratik dhe te sigurtë dhe nuk kanë nevojë të ecin në drejtime nacionaliste dhe se me të vërtetë nuk do ta bëjnë këtë. Ka sigurisht interes në mes të shqiptarëve të diasporës dhe në vendet fqinje dhe kjo është sigurisht e kuptueshme, por ka qenë shumë e rëndësishme të dëgjoja nga të gjithë ata me të cilët kam folur se Shqipëria nuk ka qëllime, nuk ka dëshirë të ndryshojë kufijtë e saj dhe ky është mesazhi më i rëndësishëm, si për njerëzit në këtë vend ashtu edhe për fqinjët tuaj.

Muhamed Veliu: Në 20 vitet e kaluara, qeveria e SHBA ka treguar vëmendje të veçantë ndaj stabilitetit në Ballkan. Mendoni se deklarata të tilla, retorika e politkanëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Serbi dhe Greqi mund ta destabilizojë rajonin? Dhe cili do të jetë qëndrim i SHBA nëse kjo do të ndodhte?

Jonathan Moore: Siç e dini, Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara ndaj stabilitetit të këtij rajoni. Është një nga arsyet pse Shqipëria është bashkuar me ne në Aleancën e NATO-s. Ka të tjera vende anëtare të NATO-s në rajon, Kroacia dhe sigurisht Greqia, si anëtare prej shumë kohësh. Është e vërtetë që aty këtu ka pikëpamje politike ekstreme, por çështja themelore është sjellja e këtyre vendeve dhe jo retorika e ndonjë individi, apo organizate, dhe, nga kjo pikëpamje, ne kemi shumë besim se rajoni do të vazhdojë të ketë stabilitet. Kjo është një nga arsyet pse NATO, dhe sërish, kjo është një çështje e rëndësishme, roli dhe prania e SHBA është kaq e rëndëishme për ne. Sërish, më pyetët pse po vizitoj Tiranën, dhe kjo është pjesërisht arsyeja, të theksoj rëndësinë që ne në Uashington i japim dhe interesin që ne kemi të merremi me situatën këtu.

Muhamed Veliu: E keni fjalën për retorikën nacionaliste, apo jo?

Jonathan Moore: Është e pamundur ta heqësh plotësisht retorikën nacionaliste nga dialogu politik. E gjejmë edhe në skajet e shoqërisë sonë. Megjithatë, më e rendësishmja për ne janë veprat dhe sjellja e secilës prej qeverive dhe partive politike dhe përqasja e tyre dhe ne besojmë në profesionalizmin e tyre themelor. Është e lehtë të shmanget vëmendja drejt nacionalizmit, sidomos në kohë si këto kur ekonomia është në kushte jo të mira. E kemi parë në Greqi, për shembull, me një lëvizje shumë shqetësuese. Pra, është një fenomenon që nuk e eliminojmë dot; sigurisht pjesë e proçesit demokratik, por ajo që është në themel e nevojshme është që një ndjenjë e tillë nacionaliste të mos ndikojë negativisht proçesin demokratik apo të pengojë njerëzit të ushtrojnë të drejtat dhe liritë e tyre.

Muhamed Veliu: Cilat janë disa nga shqetësimet e Departamentit të Shtetit për ritmin e reformave drejt integrimit? Shqipëria aspiron të marrë statusin e vendit kandidat për në BE.

Jonathan Moore: Në radhë të parë do përsëris fjalët e sekretares Clinton në Parlamentin tuaj një muaj më parë. Është dëshira jonë e madhe ta shohim Shqipërinë t’i afrohet më shumë BE-së dhe të përmbushë tri kërkesat e përcaktuara nga Brukseli përpara takimit të BE-së, i cili zhvillohet pak pas ditësh në dhjetor. Për fat të keq, nuk ishte e mundur. Opozita nuk e mbështeti qeverinë t’i përmbushte këto tri hapa. Kjo tani do të thotë që përballeni me gjashtë muaj të një stine zgjedhore, stinë fushate, ku me gjasë do ketë edhe më pak kompromis se sa ka tani dhe më shumë retorikë e më shumë sfida. Është e rëndësishme që ky proçes të fillojë. Kam dëgjuar nga shumë njerëz nevojën për të luftuar korrupsionin në nivele të ndryshme të shoqërisë, për të përmirësuar standardet e jetesës, pra për të përmirësuar të ardhmen e popullit shqiptar nëpërmjet vendeve të punës, arsimit, investimeve. Të gjitha këto janë të lidhura pandashëm me të ardhmen tuaj, jo thjesht në BE, por edhe në rrugën drejt BE-së. Pra, janë pika shumë të rëndësishme që u përpoqa t’i theksoja me të gjithë udhëheqësit politikë dhe personat me të cilët kam biseduar. Është shumë e rëndësishme që kjo të ndodhë sa më parë që të jetë e mundur. Nëse është bërë e pamundur për shkak të ngërçit politik përpara zgjedhjeve, duhet të ndodhë menjëherë pas tyre.

Muhamed Veliu: Me lejen tuaj, do doja të përqendrohesha pak tek ajo që sapo thatë për integrimin. Çfarë është më me rëndësi për Shqipërinë: që Parlamenti të bëjë ligje të bukura, por jo t’i zbatojë ato?

Jonathan Moore: Është e qartë që zbatimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm por hapi i parë është të bëhen ligjet, të bëhen pjesë e sistemit tuaj ligjor. BE e pranon edhe mes anëtarëve të saj që ka raste kur ligjet ekzistojnë por zbatimi është në proçes. Për shembull, Kroacia së shpejti do të bëhet anëtare e BE-së; kanë arritur shumë dhe iu janë dashur shumë vite. Kanë kaluar në shumë faza. Deri tani, kanë kryer vetëm një ndjekje penale të suksesshme ku një ish-kryeministër kohët e fundit u dënua me 10 vjet burg. Duhet kohë. Gjëja e parë është të jenë ligjet dhe pastaj të zbatohen ato. Sigurisht, nëse nuk janë, s’ke ç’të zbatosh. Pra për sa kohë Brukseli ka përcaktuar standardin edhe për ligjin edhe për praktikën që pason ligjin, është me rëndësi të zbatohet hapi i parë.

Muhamed Veliu: Z. Moore, faleminderit shumë për kohën tuaj.

Jonathan Moore: Faleminderit shumë juve. Gëzohem me mundësinë dhe pres me kënaqësi udhëtimin tjetër në Shqipëri.

Top Channel