Pafajësia pas akuzave për pedofili

05/12/2012 17:50

Familja e Nexhip Qepit ishte një famije krejt e zakonshme emigrante në Itali derisa i biri i tij 4-vjeçar i tregoi edukatores ndër të tjera se në shtëpi babai e puthte në pjesë intime.

Ngjarja u bë e njohur pasi edukatorja denoncoi tek karabinierët rrëfimin e fëmijës. Policia e vendit fqinj instaloi kamera të fshehta në shtëpi dhe mbajtën nën vëzhgim familjen për më shumë se dy muaj derisa më 3 gusht të vitit 2010 vendosën të arrestonin babain 46-vjeçar dhe madje të vinin nën akuzë dhe bashkëshorten për bashkëpunim.

Prindërit shqiptarë që jetonin prej 12 vitesh në Itali u denoncuan për pedofili, një fjalë të cilës nuk ia dinin kuptimin.

Gjithçka nisi kur djali i Nexhipit, pasi edukatorja i kishte pyetur çfarë lojërash zhvillojnë në shtëpi, kishte treguar se i ati i hiqte pantallonat dhe e puthte.

Historia pati një jehonë të madhe jo vetëm në mediat italiane, por edhe në ato shqiptare ku komentet ishin të shumta. Nga njëra anë diskutohej gjesti i cilësuar “i shëmtuar” i prindit dhe nga ana tjetër diskutohej përplasja e kultrave mes Italisë dhe Shqipërisë. Për opinionin shqiptar s’kishte asgjë perverse në këtë sjellje që nuk shihet më shumë sesa shprehje e krenarisë dhe dashurisë së pamatë prindërore.

Në blogje dhe rrjete sociale justifikohet sjellja e tij me sfondin social-kulturor. Arrestimi është quajtur i padrejtë si pasojë e një përplasjeje kulturash mes Italisë dhe Shqipërisë lidhur me trajtimin e fëmijëve.

Pas seancave të shumta ku prindërit rrezikonin nga nëntë vite burg secili, në mbrojtje të tyre u rreshtuan dhjetëra shqiptarë në manifestime të organizuara në Vlorë e Rexho Emilia me pankarta në duar “Për ne është krenari të kemi një fëmijë mashkull”, “Lëreni babanë të shkojë tek fëmijët”, “Këto janë traditat tona”, “Dashuria për fëmijën është dashuri për Zotin”.

Në 21 nëntor gjykata italiane vendosi që prindërit të shpallen të pafajshëm për mungesë provash.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA