Në forumin e “Miqve të Evropës”, i ftuar i veçantë ishte edhe Komisioneri Stefan Fule, i cili gjatë një fjalimi të gjatë për proçesin e zgjerimit, u ndal edhe te Shqipëria, me tone pesimiste për statusin kandidat dhe me mesazhet e radhës për qeverinë dhe opozitën.
Ju ftojmë të ndiqni të plotë pjesën e fjalimit të Komisionerit për Shqipërinë.
“Shqipëria. Ende jo gati, që ne të rekomandonim çeljen e negociatave pasi ‘pjata’ ishte shumë e mbushur me 12 rekomandimet kyç, që prej vitit të kaluar. Patëm dhe dialogun mes qeverisë dhe opozitës, që dha rezultate me raste dhe jo në disa raste të tjera. Por unë nuk mbaj mend asnjë vend tjetër, me të cilin ne do të kishim punuar në mënyrë kaq intensive, dorë për dorë me atë vend, jo vetëm për t’i ndihmuar ata të japin rezultate në ato 12 prioritete kyçe, por edhe duke i ndihmuar të japin rezultate për masën kritike të rezultateve, në mënyrë që ne të ndjeheshim të qetë për të propozuar dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë. Nuk mbaj mënd asnjë vend. Nga fillimi i këtij viti dhe në bashkëpunim, jo vetëm me qeverinë, por edhe me opozitën dhe faktorë të tjerë, dhe e vlerësoj këtë proçes gjithëpërfshirës në Shqipëri, ne përcaktuam së bashku listën e detyrave dhe ata kanë dhënë rezultate. Ka tre çështje, që mbeten dhe është shumë interesante, sepse ato do të simbolizonin jo vetëm angazhimin për të dhënë rezultate për atë masë kritike, por edhe nivelin e gjithëpërfshirjes mes qeverisë dhe opozitës. Pasi këto çështje kanë nevojë jo vetëm për mbështetjen e qeverisë, por edhe të opozitës. Unë shpresoj shumë se, në këtë fazë, partitë politike dhe aktorët në qeveri dhe në opozitë nuk do të luajnë lojra. Se qeveria do të jetë e hapur ndaj shqetësimeve të opozitës dhe se opozita nuk do ta lidhë axhendën europiane me çështje të tjera. Ndoshta të rëndësisë më të madhe, por çështje që në fund të ditës tregojnë se kemi një bllokim tjetër në Shqipëri. Sa keq të shohësh Shqipërinë, që feston 100-vjetorin dhe të mos jetë e aftë të mbrojë fort dhënien e statusin kandidat, duke qenë kaq afër kësaj”, u shpreh Stefan Fule, Komisioneri europian për zgjerimin e BE-së.
Përgatiti: Ernest BUNGURI
Top Channel