Tre persona humbën jetën duke u mbytur në Shkodër, Skrapar dhe Peqin, si pasojë e problemeve të shkaktuara nga moti i keq.
Viktima e parë është regjistruar në Shkodër, ku një 41-vjeçar peshkatar nga Malësia e Madhe ka dalë në liqen për të kontrolluar rrjetat dhe nuk është kthyer më.
Familjarët e tij kanë kërkuar ndihmën e policisë, e cila mësohet se ka nisur kërkimet por ende nuk e ka gjetur.
Në Skrapar është mbytur në lumin Osum një 55-vjeçare nga fshati Barc. Ajo ishte nisur për të marrë pagesën e ndihmës sociale në komunën Gjerbes dhe në tentativë për të kaluar lumin është rrëzuar dhe mbytur.
Viktima e tretë është një 80-vjeçare nga Peqini, e cila është gjetur e mbytur në përroin e Rushkës, në një fshat të këtij rrethi.
Top Channel