Fule: Statusi, jo vetëm 3 ligjet

04/12/2012 22:35

Komisioneri për zgjerim, Stefan Fule, foli para komitetit të jashtëm të senatit francez mbi paketën e zgjerimit, duke mbrojtur qëndrimet e 10 tetorit ndaj vendeve të Ballkanit, Islandës e Turqisë.

Komisioneri ka sqaruar parlamentin francez se, përveç reformave parlamentare, zgjedhore e administrative, Shqipëria duhet të punojë edhe në fushën e sundimit të ligjit dhe garantimin e të drejtave të njeriut, për të marrë statusin kandidat.

Pjesa për Shqipërinë, në fjalën e Stefan Fule, në senatin francez:

“Shqipëria ka bërë përparim të rëndësishëm vitin e fundit, sidomos në forcimin e marrëveshjes ndër-partiake, mbi proçesin e reformave të Bashkimit Europian, dhe në dorëzimin e një numri reformash thelbësore, në fushat që mbulojnë Prioritetet Kyçe të Opinionit të Komisionit. Ne nuk propozojmë ende hapjen e negociatave, por dhënien e statusit kandidat, pas plotësimit të kushteve për reformën parlamentare dhe atë zgjedhore si dhe punës në prioritetet kyçe, përfshirë atë në fushën e sundimit të ligjit, reformës së administratës publike dhe të drejtat themelore. Mbajtja e Shqipërisë pranë perspektivës europiane mund të luajë rol të rëndësishëm në konsolidimin e stabilitetit të saj politik dhe në garantimin e vazhdimit të reformave”.

Stefan Fule vlerësoi “rolin dhe rëndësinë e parlamenteve nacionale” mbi politikën e zgjerimit të Bashkimit Europian, në një kohë “kur BE përballet me sfida të shumta”, siç komentoi vetë Komisioneri në Tweeter, menjëherë pas takimit.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA