Sllovenet votuan për presidentin e ri të vendit, pas ditësh të tëra protestash mbi shkurtimet buxhetore dhe korrupsionin qeveritar.

Përballë njëri-tjetrit për postin e kreut të shtetit janë kreu aktual i shtetit, Danilo Turk, dhe ish-kryeministri Borut Pahor, i favorizuar nga sondazhet. Sipas anketimit më të fundit të të përditëshmes “Delo”, Pahor kryeson me 55% të votave, ndërsa Turk ka vetëm 24%.

Por, pavarësisht parashikimeve për një fitore dërrmuese të ish-kreut të ekzekutivit, analistët sërish paralajmërojnë se një ringritje e beftë e Danilo Turkut është e mundur në mesin e pakënaqësisë ndaj masave anti-krizë dhe elitës politike në përgjithësi.

Të paktën 15 vetë u plagosën e dhjetra të tjerë përfunduan në pranga, në protestën e së shtunës, që mori kthesë të dhunshme në kryeqytetin Ljubljanë.

Megjithatë, një pjesë e sllovenëve vazhdojnë të mbeten optimistë, se situata do të përmirësohet.

“Mendoj se gjërat do të qetësohen. Nuk do të ketë më trazira, s’ma merr mendja”, tha një qytetar.

“Nuk ka për të zgjatur shumë dhe ne do t’i rikthehemi normalitetit. Në një mënyrë apo një tjetër, gjërat do të rregullohen dhe njerëzit s’do të kenë më nevojë t’i zgjidhin me dhunë”, shtoi më tej një qytetare.

Sllovenia iu bashkua eurozonës në 2007-tën, kur u konsiderua dhe një nga ekonomitë me rritje më të shpejtë të bllokut, por është goditur keqazi nga kriza financiare globale, për shkak të varësisë së saj të madhe nga eksportet.

Tani, vendi përballet me recesionin, rënien e eksporteve, tkurrjen e shpenzimeve të brendshme për shkak të shkurtimeve buxhetore dhe rritjen e papunësisë.

Bankat janë gjithashtu në vështirësi për shkak të kredive të këqija. Shumë sllovenë janë të zemëruar me masat e ashpra anti-krizë, që po implementohen nga qeveria e qendrës së djathtë, të cilën e akuzojnë edhe për korrupsion.

Posti i presidentit, nga ana tjetër, që ka një mandat 5-vjeçar në krye të shtetit, është kryesisht honorifik.

Top Channel