Me mustaqe si burrat e Kombit

01/12/2012 00:00

100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë nuk e aktivizoi vetëm klasën politike në Shqipëri e Kosovë. Ceremonitë solemne, ngritja e shtatoreve për heronjtë e dekoratat për personalitete të ndryshme nuk ishin të vetmet që karakterizuan ketë përvjetor të rëndësishëm.

Në njëqind vjetorin e Pavarësisë djemtë kosovarë kanë ardhur me një ide shumë interesante. Në kuadër të një nisme të shpërndarë në rrjetet sociale, u arrit që brenda pak kohësh djemtë kosovarë të gjithë të bëhen me mustaqe, ashtu sic ishte edhe thirrja ‘”ta festojmë 100-vjetorin me mustaqe”.

Kjo nismë shumë shpejt fitoi numër rekord përkrahësish. Në rrugët e Prishtinës cdo ditë e më shumë u panë të rinj me mustaqe.

Labinoti, Gjergji dhe Vetoni janë vetëm tre prej tyre. 100 vjetori i Pavarësisë është kthyer në motiv të fortë dhe idea për t’u dukur sado pak si kontribuesit e cështjes kombëtare mjafton që ata t’i rrisin me mustaqe në nëntorin historik.

Nëntori i 100-vjetorit të Pavarësisë në fakt nuk ka ndryshuar vetëm pamjen e tyre, por edhe debatin në ambientin në të cilin jetojnë e punojnë. Tani temë diskutimi nuk është thjeshtë përditshmëria, por gjithcka ndërlidhet me fushën e historisë, kombin dhe padyshim Pavarësinë e Shqipërisë.

Pjesa tjetër e mesazhit që të ‘rinjtë me mustaqe’ dëshirojnë të përcojnë ka të bëjë me politikanët e sotëm të cilët edhe në një përvjetor të rëndësishëm shihen si simbol i fenomeneve negative.  

Por si shihet e gjithë kjo nga këndvështrimi i antropologëve kosovarë? Nita Luci ligjëron mes të tjerash edhe lëndën etnologji e Europës Jug-lindore në Universitetin e Prishtinës. Sipas saj mustaqet nuk hyjnë në mesin e vlerave kulturore të shoqërisë sonë, megjithatë janë element që mund të përcaktojnë pjesë të identetit kombëtar.

Nisma ‘ta festojmë 100-vjetorin me mustaqe’ ka njohur kontributin e femrave në historine tonë. Duket se sot koncepti i burrërisë nuk ka të bëjë fare me gjini, por me sistem vlerash andaj pjesë e saj janë bërë edhe shumë femra të cilat kryesisht kanë postuar fotografi me mustaqe artificiale.

“Burrat me mustaqe” përvec se nderuan burrat e kombit, gjithashtu u bënë pjesë e lëvizjes “Movember” zanafilla e të cilës është në Australi dhe ka për qëllim të senzibilizojë publikun për cështjet e shëndetit mashkullor.

Në natën e 30 nëntorit shumë të rinj hoqën mustaqet dhe dhuruan nga pesë euro për të rritur ndërgjegjësimin në Kosovë rreth kancerit të prostatës.

Top Channel