Tiranë, gjobë 36-vjeçarit, në pranga 4 të rinj

23/11/2012 00:00

Policia e Tiranës bën me dije se bërë të mundur arrestimin e 4 persona
të cilët akuzohen se kanë kërcënuar një biznesmen të cilit i kanë vënë
një ‘gjobë’ prej 100 mijë eurosh.

Zëdhënësja e policisë së Tiranës, Alma Katragjini deklaroi se janë arrestuar shtetasit Ervin Gjana 22 vjeç, Altin Dardha 22 vjeç, Rustem Koçi 21 vjeç dhe Ravjola Lila 24 vjeçe.

“Arrestimi i tyre u realizua pas një pune profesionale dhe procedurale hetimi, ku këto shtetas kanë shtrënguar me anë të kanosjes për dhënie pasurie shtetasin Juland.M, 36 vjeç, kundrejt shumës së parave prej 100.000 eurove”, – tha zëdhënësja e policisë.

Kapja e këtyre shtetasve u bë dje në mesditë, në rrugën “Bardhok Biba”, nga Seksioni kundër Vjedhjeve me Dhunë dhe Armë në bashkëpunim me Sektorin Operacional të Drejtorisë së Policisë Qarkut Tiranë.

Gjatë kontrollit të ushtruar janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale tre telefona celularë me të cilët dyshohet se këto shtetas kanosnin nëpërmjet telefonatave dhe mesazheve shtetasin Juland.M.

Top Channel