Ndërsa Turqia është në pritje të përgjigjes së NATO-s për vendosjen e raketave “Patriot” në kufirin siriano-turk, Moska paralajmëroi se një veprim i tillë mund të shkaktojë pasoja serioze dhe te parikuperueshme.
“Çdo grumbullim i armëve bën të mundur që edhe provokimi më i vogël të krijojë një konflikt serioz dhe kjo duhet të shmanget me çdo kusht”, deklaroi ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov.
Në deklaratën e tij, Lavrov pranoi se vendosja e armëve nuk do të përbënte një përfshirje të NATO-s në konfliktin sirian, por e konsideroi një mundësi të tillë si “një precedent të rrezikshëm, i cili mund të përdoret nga palët e interesuara për të siguruara përfitime të ndryshme politike dhe të çfarëdo llojshme”.
Një frazë e tillë, i adresohet qartësisht Turqisë, ku kryeministri Recep Tayyip Erdogan është shndërruar në një prej kundërshtarëve më të ashpër të regjimit të Bashar al-Assad.
Më parë gjatë nëntorit, Turqia i kërkoi zyrtarisht NATO-s që të vendosë raketat defensive “Patriot” në kufirin jugor me Sirinë, për t’u mbrojtur nga çdo agresion i mundshëm sirian, si ai që ndodhi në muajin tetor, kur rënia e disa predhave në një qytet kufitar i kushtoi jetën disa civilëve.
Anders Fogh Rasmuseen, Sekretati i Përgjithshëm i aleancës më të fuqishme ushtarake në botë, pjesë e së cilës është edhe Shqipëria, iu përgjigj kësaj kërkese gjatë javës duke thënë se NATO është duke e marrë seriozisht parasysh këtë mundësi.
Rusia dhe NATO kanë pasur një konflikt të ashpër edhe më parë, për shkak të planeve amerikane për vendosjen e bazave antiraketë në Europë, projekt që është konsideruar si anti-rus nga Moska, ndonëse Uashingtoni këmbëngul se sistemi do të vendoset për të mbrojtur kontinentin nga kërcënimi iranian.
Top Channel