Turqia, përforcime pranë kufirit sirian

09/11/2012 09:00

Turqia ka nisur një fushatë të përforcimit të kufirit me Sirinë me trupa shtesë ushtarake dhe kapacite të reja mbrojtëse dhe sulmuese.

Operacioni po bëhet në kuadrin e planeve të NATO-s për të siguruar “kufirin e tij” me Sirinë, ndërsa vendosja e raketave tokë-tokë “Patriot” në disa zona strategjike është ndër alternativat që po peshohen.

Nga ana e tij, Presidenti i Turqisë, Abdullah Gul, deklaroi përpara gazetarëve të enjten se lufta civile në Siri mund të sjellë rrjedhoja edhe në Turqi, prandaj vendi është duke marrë në konsideratë “çdo masë të mundshme” për të shmangur këto ndërlikime.

”Bisedimet me NATO-n me qëllim sigurimin e një mbrojtje sa më efikase janë duke u zhvilluar prej disa kohësh dhe shumë skenarë difensivë janë duke u konsideruar si masë paraprake”, deklaroi Gul, që i pyetur mbi mundësinë e vendosjes së “Patriot”-tëve në territorin turk, gjithsesi përjashtoi mundësinë e blerjes së këtyre armëve.

”Për momentin, nuk kemi bërë një kërkesë për blerjen e raketave “Patriot” dhe nuk besojmë se jemi në gjendje që të realizojmë një investim të tillë për momentin”, shtoi Presidenti.

Aktualisht, Turqia nuk disponon raketa të këtij lloji dhe nëse ato do të vendosen në territorin turk, do të sponsorizohen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Më parë gjatë shtatorit, disa predha të lëshuara nga ushtria e rregullt siriane ranë mbi një qytet kufitar në Turqi, duke vrarë pesë civilë. Ky incident solli përfshirjen e ushtrisë turke në një seri raprezaljesh pranë kufirit.

Gjatë krizës siriane, Ankaraja zyrtare është shndërruar në një prej kundërshtareve më të ashpra të regjimit, duke i ofron strehim dhe furnizime kryengritësve, në të njëjtën kohë që është kërkuar shprehimisht largimi i qeverisë së Bashar al-Assad.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA