Viola Begaj nuk e dinte se kur do mbaronte studimet për gjuhë të huaj nuk do të mund të gjente punë. Megjithatë nuk iu dorëzua dëshpërimit. Vendosi t’i hynte një fakulteti të dytë.

“Kam studiuar frengjisht nga viti 1999 deri në vitin 2003. Më vonë studiova farmaci. Ishte bashkëshorti që më shtyu pasi është një biznes familjar që duhej vazhduar dhe një treg i sigurt pune”, shprehet Viola.

Për arsye nga më të ndryshmet, vitet e fundit dëshira për një universitet të dytë duket se po kthehet në një tendencë.

Juridiku dhe ekonomiku janë ndër degët më të preferuara për një kualifikim më shumë. Zgjedhja për farmaci e Violës rezultoi e suksesshme.

Por ndërkohë që je sërish në auditor, krahas përgjegjësive familjare e atyre profesionale, fundjava “e ngarkuar” me leksione është e lodhshme.

Të bësh një shkollë të dytë tashmë është bërë e domosdoshme dhe për këtë mosha nuk eshte asnjehere pengese.

“Nuk është asnjëherë vonë për një universitet të dytë”, thotë Viola.

Autodidaktë të famshëm

Për disa njerëz, të ecurit përpara në jetë dhe suksesi janë të lidhur ngushtë me shkollimin. Por eksperienca e disa të tjerëve tregon të kundërtën. Ka shumë persona të cilët anashkalojnë shkollimin dhe çdo lloj sistemi tjetër të mësuari në mënyrë institucionale për t’ju nënshtruar tërësisht një procesi vetjak përvetësimi. Këta janë autodidaktët.
 
I tillë duket se ka qenë Charles Darwin, kërkuesi i historisë së natyrës dhe themeluesi i teorisë së evolucionit. Pavarësisht faktit se kishte një diplomë arti në Cambridge, ai rezulton se ka qenë tërësisht një autodidakt në fushën e studimeve dhe kërkimeve mbi Historinë e Natyrës dhe Biologjisë.

Leonardo da Vinci, artisti italian shumë i famshëm i periudhës së Mesjetës, është një prej autodidaktëve më të mëdhenj që ka jetuar ndonjëherë. Piktor, skulptor, arkitekt, muzikant, shkencëtar, matematicien, shpikës, anatomist, gjeologjist, botanist dhe shkrimtar, ai i ka zhvilluar të gjitha këto prirje duke studiuar në mënyrë vetjake.

Duket gati e pabesueshme, por edhe ish-presidenti i Amerikës Abraham Lincoln, është gjithashtu autodidakt në fushën e drejtësisë.

Edhe ish-kancelari i Gjermanisë, Adolf Hitler, dijet dhe të gjitha mësimet i zhvillonte vetë. Burimi i informacioneve të tij ishin libraritë.

Në këtë listë njerëzish të famshëm autodidaktë përfshihet edhe novelisti i famshëm amerikan Ernest Hemingway. Ai shpenzonte orë të tëra në shtratin e tij duke lexuar. Lexonte gjithçka gjente nëpër shtëpi, që nga revistat, gazetat deri dhe librat e ndryshëm. Ishte gjithashtu edhe një anëtar i rregullt i bibliotekave. Babai i Hemingway dëshironte shumë që i biri të ndiqte kolegjin e Oberlin, por ai vendosi të bëjë të kundërtën. Të mos ndjekë asnjë shkollë.

Por edhe kinematografia botërore njeh shumë regjizorë të suksesshëm autodidaktë. Duke filluar nga James Cameron, Steven Spielberg, Quentin Tarantino, Robert Rodriguez, John Huston e deri tek i mirënjohuri Woody Allen.

Dhe për ta mbyllur me kinematografinë, aktori hollivudian Russell Crowe ka ndërprerë në mes studimet pranë Institutit Kombëtar të Artit Dramatik, të cilat ishte duke i ndjekur në Sidney, pasi mendonte se duke punuar ai tashmë po praktikonte dijet që merrte në shkollë. Kështu që në mënyrë tërësisht vetjake ai zhvilloi aftësitë autodidaktike në letërsi dhe art.

Profesionet që kërkojnë studim gjithë jetën

Këtë 10-vjeçar punësimi është më i pasigurt. Specialistët që merren me studimin e tregut të punës thonë se duhet të thellohemi në mënyrë të vazhdueshme në profesionin që kemi zgjedhur.

Gentian Drenova, këshillues karriere, thekson: “Duhet gjithmonë të përmirësohesh më tepër. Duhet të bësh master apo doktoraturë.”

Veçanërisht për disa profesione është shumë e rëndësishme të mësosh ditë pas dite. Zhvillimet e teknologjisë ecin me ritme shumë të shpejta të cilat kërkojnë angazhim sistematik.

“Aktualisht pozicionet që kërkojnë teknicienë super të kualifikuar janë pozicionet e informatikës, të shkencave ekzakte dhe mjekësi”, shton Drenova.

Të rinjtë përpara se të zgjedhin profesionin e së ardhmes duhet të njohin specifikat e punës e të jenë të përgatitur për sfidat që i presin në të ardhmen.

Top Channel