Dhunonte mbesën, pranga 44-vjeçares

22/11/2012 00:00

Arrestohet një 44-vjeçare, pasi në mënyrë sistematike ka ushtruar dhunë
fizike dhe psikologjike mbi mbesën e saj, 3 vjeçe, me inicialet K. Q.
Burime nga policia bëjnë me dije se në pranga është vënë Mimoza Qiriako,
i cila ka thyer urdhrin e mbrojtjes së dhënë nga Gjykata e Tiranës, për
të njëjtin motiv, ushtrim të dhunës mbi të miturën.

Arrestimi është bërë pas denoncimit të nënës së vogëlushes në polici, Donika Qiriako, 42 vjeçe. Sipas burimeve zyrtare të policisë së kryeqytetit, halla e ka rrahur 3-vjeçaren, me inicialet K.Q, pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta.

Ndër të tjera mësohet se Mimoza Qirjako nuk ka zbatuar vendimin për urdhrin e mbrojtjes të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Tiranës, e cila ka vendosur që kjo shtetase të mos kryente vepra dhune në familje. Në korrik të këtij viti, nëna e 3-vjeçares e ka paditur kunatën e saj në Gjykatën e Tiranës, duke pretenduar se Mimoza, në mënyrë sistematike ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike mbi vajzën, duke e trembur vazhdimisht.

Çështja pushohet, pasi 44-vjeçarja ka deklaruar përpara trupit gjykues se nuk ka ushtruar dhe nuk do të ushtrojë dhunë fizike e psikologjike ndaj mbesës së saj. Garancinë se nuk do të ushtronte dhunë ndaj 3-vjeçares, ajo e ka shoqëruar edhe me shkrim. Por nuk ka rezultuar kështu.

Në shtator të këtij viti, kunatat përplasen sërish në dyert e Gjykatës, për të njëjtën çështje. Nëna e vogëlushes është ankuar se Mimoza Qiriako nuk e ka respektuar vendimin, për të mos i prekur fëmijën, përkundrazi ka vijuar dhunën psikologjike dhe fizike mbi 3-vjeçaren. Sërish 44-vjeçarja e ka mohuar këtë fakt, duke thënë se e kunata po gënjen, madje ajo është e lumtur që është bërë me mbesë. Pasi Gjykata ka dëgjuar të dyja palët, ka lëshuar një urdhër mbrojtje ndaj së paditurës Mimoza Qiriako, që të mos kryejë veprën e dhunës në familje, ndaj fëmijës K.Q, të cilin 44-vjeçarja duket se e ka thyer. Mësohet se të dyja kunatat jetojnë në të njëjtin apartament pas martesës që Donika ka pasur me vëllanë e Mimozës. Fëmija me inicialet K.Q, është fëmija i vetëm i Donika Qiriakos dhe ardhja në jetë e vogëlushes ka acaruar marrëdhëniet mes kunatave.

Top Channel