Mjedisi shqiptar i dhunshëm

21/11/2012 00:00

Prindërit shqiptarë kërkojnë të vendosin autoritetin tek fëmijët e tyre përmes dhunës psikologjike dhe fizike. Studimi më i fundit i UNICEF-it tregon se 75% e fëmijëve të moshës 2 deri në 14 vjeç në Shqipëri kanë përjetuar të paktën një herë dhunë fizike apo psikologjike.

Sipas një anketimi kombëtar mbi dhunën në familje, 56.8% e fëmijëve raportuan se një anëtar i familjes i kishte qëlluar me shuplakë, grusht apo shkelmuar; për më tepër, 12.8% e fëmijëve raportuan se dikush në familjen e tyre i kishte goditur me objekte dhe 4% raportuan se ata ishin djegur me cigare ose me një objekt tjetër të nxehtë.

Përfaqësuesi i UNICEF-it Detlef Palm tha se ka ardhur koha që të mos pranohet si diçka normale nga prindërit që fëmijet të rrihen.

“Dhuna fizike dhe pskologjike është një eksperiencë e keqe për fëmijët, asgjë pozitive nuk vjen nga kjo. Fëmijët nuk mendojnë në mënyrë konstruktive. Ata do ta kenë të vështirë të gjejnë kompromisin në jetë. Dhuna prek fëmijet dhe është e fshehur. Më shumë se gjysma e fëmijëve vuajnë dhunë fizike dhe psikologjike në shtëpi, institucione, apo në shkolla. Pjesa më e madhe e këtyre fëmijëve nuk kërkon ndihmë. Mbrojtja e fëmijëve nga dhuna dhe abuzimet duhet të bëhet pjesë e përhershme e mbrojtes sociale”, deklaroi Palm.

Kryeministri Sali Berisha tha se dhuna ndaj fëmijëve në Shqiperi është disa herë më e lartë sesa ajo që ne mendojmë, ndaj duhet të ketë sanksione dhe të përmirësohet legjislacioni.

Dhuna fizike është më e dukshme tek të rinjtë e moshave 15 deri në 29 vjeç, e cila përfshin 6.6% të të rinjve, në krahasim me 1% që është në Bashkimin Europian.

Në Ditën Botërore për Parandalimin e dhunës ndaj fëmijeve është apeluar që dhuna ndaj të miturve të mos shihet si një çështje që duhet të mbetet brenda familjes, por të raportohet dhe të zbatohen konventat për mbrojtjen e tyre.

Top Channel