Buxheti, më i ulëti nga 2005

20/11/2012 00:00

Prej vitesh është shndërruar në traditë që kryeministri e lajmëron
buxhetin e vitit korrent si më të madhin në historinë e Shqipërisë.

Shefi i Qeverisë i referohet shifres se shpenzimeve ne vlerë dhe qe nuk tregon asgjë për gjendjen e ekonomisë dhe financave publike të vendit sepse nuk mban parasysh inflacionin, rritjen ekonomike dhe borxhin. Kjo sepse në terma realë, nëse zhvishet efekti i këtyre dy faktorëve, llogaritë e buxhetit përmbysen.

Top Channel zotëron draftin e sapomiratuar nga Qeveria. Sipas tij, buxheti i vitit 2013 jo vetëm që nuk është më i madhi në histori, por është ndër më të ulëtit në dhjetë vitet e fundit. Të ardhurat e Qeverisë do të bien vitin e ardhshëm, në 25.1 për qind e Prodhimit Kombëtar, që është niveli më i ulët që nga 2005-a. Ndërsa shpenzimet ulen nga 28.7 për qind këtë vit në 28.58 për qind vitin e ardhshëm edhe ky një tregues drejt niveleve më të ulëta historike.

Rënia e shpenzimeve mund të kishte qenë edhe më e madhe, nëse Qeveria nuk do të rriste borxhin. Në vitin 2013, deficiti buxhetor zgjerohet me 0.4 pikë përqindje, nga 3 për qind që është aktualisht në 3.4 për qind. Kjo do të thotë se një pjesë gjithmonë e më e madhe e shpenzimeve nuk po përballohet nga të ardhurat, por përmes rritjes së borxhit. Kjo ka një tjetër kosto nga mbrapa.

Treguesit fiskal të Shqipërisë po përkeqësohen. Në viti 2008, borxhi publik i vendit ishte 54.7 për qind e prodhimit kombëtar. Vitin e ardhshëm sipas Kryeministrit mund të shkojë deri në 62.6 për qind, që do të thotë se në 5 vitet e fundit borxhi i vendit është rritur mesatarisht me 1.6 pikë përqindje per cdo vit. Financat publike të Shqipërisë kanë hyrë në rrugë të paqëndrueshme dhe nëse kjo tendencë nuk përmbyset, barra e borxhit mbi ekonominë do rritet me shpejtësi.

Top Channel