Drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Arben Gjukaj, mohon importin e energjisë nga kompanitë e Serbisë.

Duke komentuar dokumentet publike, të cilat thonë se KEK-u importon sasinë më të madhe të energjisë, rreth 70 përqind, nga një kompani me seli në Beograd, Arben Gjukaj tha se bëhet fjalë për kompaninë GEN-I nga Sllovenia, por që i ka degët e saj në Serbi.

“Nuk është kompani serbe, pasi një futje në faqen e internetit tani dhe e shikon se kush është kompani serbe, e kush jo. Gjithsesi, edhe nëse do të ishte kompani serbe, ne nuk mundemi ta diskriminojmë, për arsye të ligjeve të këtij vendi, që i vendos tjetërkush. Kompania, që i adresoheni është kompani sllovene, shihni përqindjen se kush i zotëron aksionet e saj dhe organizimin se me sa degë është e shtrirë në çdo vend. Ju siguroj se të kesh këtë kompani, është mburrje për Kosovën”, tha Arben Gjukaj, drejtor i KEK-ut.

Megjithatë, ai tha se i vetmi kusht për Korporatën, për kompanitë të cilat importojnë energji, është që ajo të jetë e liçencuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë,   institucion ky, që i përgjigjet Kuvendit të Kosovës.

“Është e vërtetë, që vitin e kaluar ka patur mbi 70% të importeve, por çmimet i ka patur më të ulta. Me përgjegjësi iu them se të gjitha kompanitë, me të cilat kam bërë tregti që nga 2008, që mbaj këtë pozitë, janë kompani të liçencuara nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, kanë fituar tenderat në mënyrë transparente e me çmimin më të ulët, gjë që e dëshmon raporti i Auditorit Gjeneral”, tha ai.

Në këtë konferencë për mediat, drejtori i KEK-ut paralajmëroi qytetarët se borxhi i vjetër nuk do të falet, as pas marrjes së pronës nga pronari i ri. Ai foli edhe për shumën e investimeve kapitale, e cila këtë vit është 112 milionë apo 60 përqind e të hyrave. Sipas zyrtarëve, 50 milionë janë investuar në projekte ambientale, ndërsa pjesa tjetër në miniera, gjenerim si dhe divizionin e shpërndarjes.

Top Channel