Obama: Më e mira do të vijë për Amerikën

07/11/2012 00:00

Presidenti i rizgjedhur Barack Obama, në një fjalim emocionues përpara
mbështetësve të tij në Chicago, por edhe përpara gjithë popullit
amerikan vlerësoi fushatën elektorale, kundërshtarin e tij në këtë garë,
falenderoi familjen dhe ekipin e tij mbështetës, si dhe të gjithë
votuesit që votuan për të dhe për sfidantin Mitt Romney.

“Demokracia në një komb prej 300 milionësh mund të jetë e komplikuar, ne kemi opinionin tonë, kemi besimet tona”, tha Obama, duke vlerësuar procesin zgjedhor të 6 nëntorit.Obama theksoi se për Amerikën,më e mira duhet të vijë.

Po ashtu Presidenti kujtoi se çdo njeri në këtë komb ka të drejtë për një jetë më të mirë, më të zhvilluar, më të përparuar, më të sigurtë dhe më të fortë ekonomikisht.

“Ne duam të jetojmë në një komb të respektuar, të sigurtë, që mbrohet nga trupat më të mira që kjo botë ka njohur ndonjëherë,por gjithashtu në një vend që ecën përpara me besim për të përvetësuar paqen. Ne besojmë në një Amerikë bujare, në një Amerikë tolerante, të hapur për ëndrrat e fëmijëve të emigrantëve që duan të studiojnë në shkollat tona dhe të marrin këtu një edukim, për një vend më të mirë për të rinjtë dhe për të varfërit”, tha Obama.

Presidenti theksoi se demokratët kanë shpresa të mëdha për të ardhmen për të krijuar konsensus, për të arritur kompromise për ta çuar vendin përpara.

“Ju më keni bërë një president më të mirë, Unë kthehem në Shtëpinë e Bardhë i sigurt për rrugën që duhet bërë dhe të ardhmen që na pret”, tha Obama. Presidenti premtoi se do të punojë me partitë për të arritur progres në këtë vend, për të patur më shumë vende pune, për të përmirësuar jetën.

Por Obama iu kujtoi qytetarëve amerikane se puna e tyre nuk ka mbaruar vetëm duke hedhur votën në këto zgjedhje presidenciale.

“Roli i qytetarëve nuk përfundon me dhënien e votës. Të gjithë duhet të punojmë për këtë vend. Ky komb ka më shumë pasuri se çdo vend tjetër, kemi ushtrinë më të fortë, kemi shkollat më të mira, por nuk na bëjnë këto gjëra të jemi më të mirë se të tjerët. Ne duhet që të të pranojmë përgjegjësi të përbashkëta për të ardhmen dhe për brezat që do të vijnë”, tha Obama.

Amerikanët rizgjedhin Obama-n

Amerikanët votuan dhe rizgjodhën president të vendit të tyre Barack
Obama-n, duke i dhënë atij të drejtën për një mandat të dytë në krye të
Shtëpisë së Bardhë.
Obama arriti një fitore të pastër, duke mundur kandidatin republikan
Mitt Romney. Menjëherë pas marrjes së rezultateve paraprake nga shtetet e
lëkundura, Obama publikoi në Twitter lajmin për fitoren dhe mesazhin e
falenderimit për zgjedhësit.

“Kjo ndodhi falë jush, ju falenderoj”, shkruante Obama në rrjetin social Twitter, vetëm pak caste pas marrjes së lajmit të fitores.

E më tej presidenti shton: “E arritëm këtë bashkë, duke bërë fushatën elektorale dhe tani ja ku jemi”.

Vetëm pas caste më vonë Barack publikoi në Twitter një foto ku ka përqafuar bashkëshorten e tij Michelle, duke e shoqëruar me fjalët: “Edhe katër vite të tjera”.


Ndërkohë me anë të një e-maili, Obama u ka premtuar mbështetësve të tij se do të bëjë gjithçka është e mundur për të përfunduar atë që ka nisur.

Obama veç votave elektorale ka marrë edhe më shumë vota popullore se sa rivali i tij, Mitt Romney.

Romney: Lutem për  suksesin e Obama-s

Romney pranoi humbjen në zgjedhje dhe doli përpara mbështetësve të tij në Boston, duke i falenderuar ata për gjithcka kanë bërë në këtë fushatë elektorale.

“Ju falenderoj të gjithëve për mbështetjen. I kam telefonuar Presidentit Obama për ta uruar, familjen dhe zgjedhësit e tij. Kjo është një kohë sfidash për Amerikën dhe unë lutem që Presidenti të ketë sukses në rrugën e tij në drejtim të vendit tonë”, tha Romney.

Sfidanti i Obama-s, tha se shpresonte që të mos i kishte zhgenjyer mbështetësit e tij, në një fjalim të shkurtër publik në Boston, ku pranoi humbjen përpara mijëra njerëzve.

“Kombi ynë, jeton një moment kritike dhe ne nuk mund të rrezikojmë duke mbajtur qëndrimin e gabuar. Unë besoj tek Amerika dhe tek populli amerikan”, tha Romney.

Imazhet e festës në zonën e Obama-s në Chicago u transmetohen në ekrane gjigantë edhe në selinë e Romney-t në Boston, ku atmosfera ishtë aspak e këndshme. Dukeshin fytyra të trishtuara dhe në atë park mbizotëronte një heshtje varri.

Avik Roy, një prej këshilltarëve të jashtëm të Mitt Romney-t për shëndetësinë, uron demokratët në një mesazh në Twitter. Mesazhi, i cili citohet nga Washington Post online,thotë: “Urime miqve të mi demokratë. Urimet e mia më të mira për administratën e re. Unë do të vazhdoj të bëj opozitë të ndershme”.

Nga ana tjetër mbështetësit e Barack Obama-s kanë nisur të festojnë në Qendrën e Kongreseve në Chicago McCormick Place, vend në të cilin kaluan gjithë mbrëmjen, në pritje të rezultateve. Festime ka edhe në New York dhe në seli të tjera ku janë grumbulluar komitetet mbështetëse të Obama-s.
 

Në këto zgjedhje nuk kanë ndryshuar as ekuilibrat në Kongres; republikanët mbajnë kontrollin në Dhomë, kurse demokratët në Senat, e njëjta situatë si në zgjedhjet e kaluara.

Shansi tjetër i Obamas

Për Barak Obamën tani vjen një shans i dytë. Një elektorat që konsideron se vendi është në rrugë të gabuar pranoi megjithatë ta ripërtërinte kontratën e tij me pushtetin, duke shpresuar se katër vitet e ardhshme do të jenë më të mira se katër të shkuarat.

Ngadhënjimtar, presidenti u ngjit në podium, qartazi i lehtësuar nga fakti që i mbijetoi një sfidë e cila kërcënonte ta ndërpriste karrierën e tij politike. Kur foli për Amerikën, thotë “Nju Jork Tajms”, teksa i drejtohej turmës së mbledhur për ta përshëndetur, Obama fare mirë mund të ketë qenë duke folur për veten. “I mblodhëm forcat dhe luftuam fort”, tha ai.

Pas një fushatë përvëluese dhe edukimit 4-vjeçar me realitetet e Uashingtonit, Barak Obama vjen si një figurë shumë më e ndryshme nga njeriu që fitoi Shtëpinë e Bardhë në 2008-tën. Ato që e presin në pjesën tjetër të rrugëtimit nuk janë shpresa për shërim partizan, racor e global, por negociata të vështira mbi shkurtimin e shpenzimeve dhe rritjen e taksave, plus hapjen e pritshme të letrave me Iranin.

Të paktë janë ata që presin ndryshime rrënjësore në Uashington, shumica e votuesve duket se thjesht kërkojnë prej tij të garantojë funksionimin e shtetit. Më pak i prirur drejt madhështisë e ndoshta edhe më pak realist, Obama kthehet për një mandat të dytë me një kongres pjesërisht të kontrolluar nga një parti opozitare që ka treguar pak vullnet për kompromis. Përpara se shishet e shampanjës të zbrazen në Cikago, Obamës do t`i duhet të mendojë për atë çfarë vjen më pas.

Shumë shpejt, atij do t’i duhet të përcaktojë prioritetet që do t’i japin formë pjesës së mbetur të presidencës së vet e ndoshta këtë hap mund t’i duhet ta hedhë që përpara se të vendosë dorën mbi bibël për të bërë betimin edhe një herë si president i Amerikës. Që në momentin që jepeshin rezultatet, republikanët bënë pritën e parë: “Po fitoi, fitoi.”

Por, nga ana tjetër amerikanët votuan qartazi për një dhomë përfaqësuesish nën flamurin republikan, tha Joe Ëilson, përfaqësues i kësaj partie për Karolinën e Jugut. Kjo do të thotë se këta njerëz presin që ne të ruajmë pozicionin tonë. Obamën e votuan më shumë shtresat në nevojë, të cilat kanë dhe pritshmëri më të mëdha e më të  ngutshme e për pasojë, edhe zhgënjehen më shpejt.

Megjithatë mund të jetë e pashmangshme, sipas “Nju Jork Tajms”, që Obama të mos e veshë dot mantelin e shpresës dhe ndryshimit që premtoi në 2008-tën kur u kthye në presidentin e parë afro-amerikan të Shteteve të Bashkuara. Duke trashëguar një ekonomi në krizë, insistoi për një paketë të bollshme stimujsh, për reformën e kujdesit shëndetësor dhe rregulla më të rrepta për Uoll Stritin.

Por presidenti nuk arriti ta ndryshonte mendësinë e Uashingtonit apo të reduktonte nivelin shqetësues të papunësisë. Dy vitet e fundit u kaluan mes përpjekjeve për tu mbajtur fort pas Shtëpisë së Bardhë dhe mbrojtjes së arritjeve të deriatëhershme. Tani lufta për rizgjedhje do të zëvendësohet nga një luftë për shpirtin politik të Obamës.

Liberalët që i gëlltitën mosbesimet gjatë fushatës, thonë se do të rifillojnë presionet mbi presidentin e të luftojnë për idetë e tyre. Të tjerë demokratë, si dhe disa republikane do të shtyjnë të tregohet më i hapur ndaj pikëpamjeve të atyre që e votuan.

Ai vetë i përmendi tensionet në fjalimet përmbyllëse të fushatës. Dua të shoh më shumë bashkëpunim në Uashington, kishte deklaruar në ohio, por nëse çmimi për paqen është reduktimi i ndihmës për studentët apo përmbysja e programit shëndetesor, atëherë nuk jam i gatshëm ta paguaj.

Profili i Obama-s

Barack Hussein Obama bëri historinë më 4 nëntor 2008, kur ai me lehtësi mposhti rivalin republikan John McCain për t’u bërë presidenti i parë me ngjyrë i Shteteve të Bashkuara.

Në moshën 47-vjeçare kur mori detyrën, zoti Obama ishte edhe presidenti i parë urban që nga Harry Truman dhe presidenti i parë i lindur në Hauai. Më shumë se një milionë përkrahës dhe pjesëmarrës qëndruan në të ftohtë për të ndjekur inagurimin e z.Obama. Pasi mori detyrën, demokratët mposhtën kundërshtimin e republikanëve për një program ekonomik stimulues, reformën në sistemin shëndetësor, vendosjen e rregullave të reja për Uoll Strit dhe industrinë bankare si dhe shpëtimin e industrisë amerikane të automobilave nga kolapsi.

Më vonë, ai dhe demokratët amerikanë hodhën poshtë një ligj dy dekada të vjetër që ndalon haptazi homoseksualët për të shërbyer në ushtrinë amerikane. Obama përdori veton presidenciale dhe veproi pa miratimin e Kongresit duke mbrojtur nga dëbimi disa emigrantë të ardhur në SHBA që fëmijë. Ndërkohë, administrata e tij ka deportuar më shumë imigrantë të paligjshëm se çdo president tjetër amerikan.

Obama dërgoi një ekip të komandove për të vrarë Osama Bin Ladenin, çoi drejt fundit luftën amerikane në Irak, reduktoi forcat amerikane në afganistan me plan që në 2014 për tu tërhequr plotësisht  si dhe nënshkroi një traktat të ri për armët bërthamor me ish-presidentin rus Dmitri Medvedev.

Pas diplomimit nga Universiteti Columbia në Nju Jork, Obama punoi për tre vjet në një komunitet në lagjet e varfra të Çikagos. Ai më pas studio në Fakultetin Juridik të Harvardit, duke u bërë i pari president afro-amerikan i revistës ligjore Harvard.

Duke punuar në një firmë ligjore në Chicago, ai u takua me Michelle Robinson. Çifti u martua në vitin 1992 dhe kanë dy vajza, Malia dhe Sasha. Pas Harvardit, Obama u kthye në Çikago për të praktikuar ligjin e të drejtave civile, që përfaqëson viktimat e strehimit dhe diskriminimit të punësimit. Ai u bashkua me fakultetin juridik në Universitetin e Çikagos, ku cilësohej si një professor mjaft popullor dhe një mendimtar i jashtëzakonshëm në fushën juridike. Kur Obama filloi fushatën e tij presidenciale në shkurt 2007, kishte qenë në Senat vetëm dy vjet dhe kundërshtarët e tij kërkonin ta parqisnin atë si të pakualifikuar dhe papërgatitur për presidencën. Por fushata e tij emocionoi miliona liberalë, veçanërisht votues të rinj, të cilët ishin të zjarrtë për diçka të re në Uashington pas dy mandateve nën George W. Bush.

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA