Festivali i Filmit Shqiptar

06/11/2012 16:00

Në ditën e katërt të festivalit të 13 të filmit shqiptar, janë shfaqur ndër të tjera dy prej prodhimeve më të mira kinematografike të viteve të fundit. “Lindje-Perëndim-Lindje” me regji të Gjergj Xhuvanit dhe filmi i regjisorit Edmond Budina “Ballkan Bazar”, janë në konkurim për çmimin e filmit më të mirë artistik me metrazh të gjatë.

Tek “Lindje-Perëndim-Lindje” autori dhe regjisori i filmit, Gjergj Xhuvani, trajton një temë e cila është sa reale aq edhe absurde e parë në kontekstin e kohës në të cilën zhvillohet. I gjithë skenari përshkohet nga notat e humorit, por edhe pasqyron më së miri realitetin shqiptar të asaj periudhe.

“Në këtë festival nuk jemi për të konkurruar sepse filmat tanë kanë marrë pjesë në festivale edhe jashtë vendit, por këtu vijmë për tu takuar dhe për të festuar. Kjo është diçka shumë e bukur”, theksoi Xhuvani në fjalën e tij.

Është fillimi i viteve ‘90 dhe pikërisht ajo kohë kur përmbysja e sistemit komunist është shumë pranë. Një grup sportistësh, i udhëhequr nga një ish-kampion i çiklizmit, i luajtur nga Ndriçim Xhepa, nisen drejt Francës pas një ftese për të marrë pjesë në një garë çiklistike. Pas protestave politike në Shqipëri, grupi përpiqet të kthehet pikërisht në kohën kur çdo shqiptar në vend mundohej të gjente një rrugë për tu larguar nga atdheu.

Aktori Ndriçim Xhepa thekson: “Është një histori e thjeshtë njerëzore që është trajtuar fare natyrshëm dhe pa sforco nga regjisori Gjergj Xhuvani.”

Në filmin e Edmond Budinës “Ballkan Bazar” vihen përballë njëri-tjetrit dy mentalitete, ai i vizitorëve të huaj që vijnë nga një vend i zhvilluar si Franca me atë të njerëzve që kanë jetuar një jetë nën një sistem i cili i ka privuar nga shumë gjëra. Ato që janë pjesë e së përditshmes në Shqipëri, për të huajt në perëndim apo gjetkë janë gati-gati absurde. Filmi merr shtysë nga një ngjarje reale, por skenari vazhdon me një histori të trilluar e cila i flet qartë këtij realiteti ballkanik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA