Sekui: Vetëflijimi është tragjedi

02/11/2012 23:30

“Kam vizituar grevistët e urisë gjatë grevës, sepse doja të kuptoja më mirë arsyet e saj. Kam vizituar zotin Ndreca në spital, për t’u informuar mbi gjendjen e tij shëndetësore dhe për të shprehur dhembshurinë time”.

“Në atë kohë, Komisioneri Fyle, drejtpërsëdrejti dhe nëpërmjet zëdhënësit të tij, shprehu shqetësimin dhe keqardhjen për situatën. Ai theksoi se situata e tyre duhet të jetë një prioritet imediat për të gjitha palët dhe inkurajoi qetësi dhe dialog konstruktiv në trajtimin e kësaj çështjeje”.

“Komisioni Evropian bëri thirrje për dialog ndërmjet autoriteteve dhe organizatave të shoqërisë civile dhe ky dialog duhet të zhvillohet në kuadër të institucioneve demokratike dhe legjislacionit përkatës”.

Ambasadorët e BE-së dhe Delegacioni i BE-së gjithashtu bënë një deklaratë, ku shprehnin “dhembshurinë dhe shqetësimin për ngjarjet e rënda”. BE-ja u bëri thirrje palëve, që “të mos shfrytëzonin këtë situatë të dhimbshme njerëzore për qëllime politike” dhe “u njoh me ekzistencën e një plani kompensimi, të përfshirë në ligjin e vitit 2007, duke bërë thirrje për dialog për të trajtuar rastet individuale, të cilat ky plan nuk i zgjidh”.

“Ne të gjithë përdorëm këto fjalë, që janë kyç për Bashkimin Evropian: zbatim dhe dialog. Unë besoj se vetësakrifikimi është gjithmonë një tragjedi. Kam bërë thirrje dhe deklarata, nëpërmjet mediave, për të ndaluar vetësakrifikimin”.

“Kam mbështetur iniciativën e Presidentit, i cili u takua me përfaqësues të grevistëve të urisë. Shpreh ndjenjat e thella të simpatisë njerëzore, hidhërimit dhe keqardhjes për humbjen e të ndjerit Lirak Bejko. Mendimet e mia janë me familjen e të ndjerit”, përfundoi Sekui.

Top Channel