Hillary Clinton viziton Ballkanin Perëndimor për të parën herë që nga marrja e postit të sekretares së Shtetit, e mbase dhe të fundit në cilësinë e shefes së diplomacisë amerikane.

Ndalesat në Sarajevë, Beograd, Zagreb, Prishtinë e Tiranë kanë të gjitha një emërues të përbashkët: nxitjen e reformave ekonomike dhe demokratike në një rajon që veç të tjerash ka dhe problemet e hershme të tensioneve etnike.

Por cilido qoftë rezultati i vizitës së kryediplomates amerikane apo dhe ai shefes së Politikës së Jashtme të BE-së, Catherine Ashton në Ballkan, më shumë se sa substancë të mirëfilltë, ajo mbart simbolizëm.

Qëndrimi i Clinton në Beograd skicon përpjekjen e forcimit të një imazhi të porsaformuar normalizimi mes Serbisë dhe Kosovës. Në sytë e ndërkombëtarëve, ky ka qenë ngjyrimi i dhënë takimit mes kryeministrit serb Ivica Daçiç dhe atij të Kosovës Hashim Thaçi në Bruksel pak ditë më parë.

Edhe pse Thaçi foli për një takim bilateral mes dy shteteve, nën kujdesin e Bashkimit Europian, Daçiç u kujdes ta bënte të qartë se kjo nuk e ndryshon pozicionin serb ndaj Kosovës.

“Për ne nocioni i njohjes së pavarësisë së shpallur njëanshmërisht është absolutisht i papranueshëm”, tha shefi i ekzekutivit serb.

Vizita e Clinton do të përcillte një mesazh të qartë: Serbia po del jashtë hapësirës së manovrimit diplomatik. Beogradit i tregohet në këtë mënyrë se nuk është aspak në interes të tij të përfitojë nga dallimet e këndvështrimeve për çështjen e Kosovës në Shtetet e Bashkuara dhe BE.

Paraqitja e saj me Ashton, si një bllok i vetëm, është projektuar të minimizojë në caqet e diplomacisë vlerën e mendimit të 5 vendeve të bllokut që kanë refuzuar të njohin pavarësinë e Kosovës, Spanja, Sllovakia, Greqia, Qipro dhe Rumania, të cilat Serbia vazhdon t’i lajkatojë.

Vizitat simbol, pra në Beograd e Prishtinë, vijnë me një mesazh të qartë: prej të dy palëve kërkohet kapërcimi i një të kaluare të hidhur e nisja e dialogut për një të ardhme përafrimi. Ka një mesazh edhe për Tiranën zyrtare: nevoja e një bashkëpunimi të fortë politik dhe vendosja e sundimit të ligjit vjen e përsëritur këtë herë personalisht.

Turi i saj në Ballkan është akti që dëshmon edhe një herë interesin, angazhimin dhe mbështetjen e Uashingtonit për një rajon që ka qenë përherë në vëmendjen e tij, edhe pse ndoshta jo gjithmonë me të njëjtin intensitet, por mbi të gjitha është zëri që tregon interesin për ardhmërinë e tij në integrimin europian e atë euroatlantik.

Top Channel