Për një ditë, shkruante qershorin e vitit 2007 American Thinker, George W. Bush  kuptoi çdo të thotë të ndihesh si Bill Clinton. Kishte të bënte me vizitën e ish-presidentit në vendin tonë dhe ndjenjat e fuqishme të admirimit që mori nga këtu, ndjenja që meritonin krahasimin me atë çfarë shqiptarët mendojnë për njeriun që luajti rol vendimtar në luftën e Kosovës e që u bë sinonim i mbështetjes amerikane për pavarësinë e saj.

Konfliktit në Kosovë e atij në Bosnje, ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë u kushtoi një pjesë të rëndësishme edhe në kujtimet e përmbledhura në librin “Jeta ime”. Përsa kohë të jetë e nevojshme, thotë ai, Uashingtoni duhet të mbetet i angazhuar në Ballkan.

Nuk është shumë e vështirë të kuptohet se çfarë premisash do të kishte bashkëshortja e tij, ish-Zonjë e Parë e Amerikës për tetë vjet, senatore dhe në katër vitet e para të administratës Obama shefe e diplomacisë së Shteteve të Bashkuara për qasjen që do të merrte ndaj Ballkanit, e sidomos Kosovës.

Vetë Obama e konfirmoi që në shtator të 2008-ës, se si president i Amerikës do ta ndihmonte Kosovën të fuqizonte ekonominë e do të mbështeste pavarësinë e saj. Kjo deklaratë ishte dhe i pari angazhim publik i ish-senatorit të Ilinoisit për të komunikuar direkt me komunitetin shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara.

Vetë vendimi i tij për të zgjedhur Joseph Biden si zëvendëspresident e të zinte pozicione kyçe të politikës së jashtme me njerëz që i përkisnin rrethit të brendshëm të Bill Clinton, të cilët edhe ishin përfshirë në Ballkan gjatë viteve ‘90, u perceptua nga ekspertët si shenjë e një riangazhimi të Uashingtonit në rajon.

Pavarësisht progresit, Ballkani Perëndimor vazhdonte të përballej me sfida të mëdha politike, ekonomike dhe administrative, që janë pengesë kryesore për anëtarësimin në BE dhe NATO. Bashkimi Europian nuk ishte i aftë t’i jepte rajonit impulset e duhura. Amerika duhet të rifitonte rajonin për të zbehur influencën në rritje të Rusisë.

Një pjesë e këtyre argumenteve patën ndikim mbi Kongresin që adoptoi në maj të 2009-ës rezolutën jo të detyrueshme 171, e cila kërkonte ndër të tjera caktimin e një të dërguari special për rajonin.

Por politikat e Obamës nuk u ngriten në nivelin e pritshmërive. Çështje më të rëndësishme e më urgjente të politikës së jashtme, Afganistani, Pakistani, Iraku u vunë në qendër të vëmendjes, e bashkë me problemet e ngutshme të brendshme dhe faktin që situata në Ballkan nuk paraqiste sfida urgjente, e ulën rajonin në listën e prioriteteve.

Turi i Hillary Clinton tani përcjell, veç të tjerash tani para zgjedhjeve presidenciale, edhe garancinë se Ballkani u spostua në vëmendje, por nuk u harrua dhe se në rrugën e reformave, mbështetja amerikane nuk do t’i mungojë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA