Që prej vitit 1999, Bashkimi Evropian ka paguar rreth 3.5 miliard euro ndihma për Kosovën, e një pjesë të madhe të kësaj shume për forcimin e sundimit të ligjit në vend. Gjykata Evropiane e Auditorëve ka hetuar efikasitetin e kësaj ndihme, duke zbuluar se sukseset janë penguar nga krimi dhe korrupsioni.
“Ne zbuluam se ndihma e Bashkimit Evropian për sektorin e doganave ka qenë e suksesshme, por që fatkeqësisht ndihma për policinë dhe gjyqësorin ka qenë më pak e suksesshme për shkak se nivelet e krimit por gjithashtu të korrupsionit mbeten të larta. Zbuluam përshembull se policia është ende e paaftë të merret me krime serioze financiare si pastrimi i parave, dhe se atje ka shumë ndërhyrje politike në gjyqësor dhe në polici”, u shpreh Gijs de Vries, anëtar i Gjykatës Evropiane të Auditorëve:
Në raport rreshtohen konkluzionet për fushat e ndryshme.
Policia e Kosovës:
“Ndërhyrjet e BE-së të audituara nga Gjykata patën sukses modest, por mbeten sfida madhore, në veçanti lufta kundër krimit të organizuar”.
Gjyqësori i Kosovës:
“Ndërhyrjet e BE-së ndihmuan ndërtimin e kapaciteteve por sistemi gjyqësor vijon të vuajë nga dobësi thelbësore”.
Anti-Korrupsioni:
“Ndërhyrjet e BE-së patën rezultate të kufizuara në luftën kundër korrupsionit, i cili mbetet shqetësim madhor”.
Veriu i Kosovës:
“Ndërhyrjet e BE-së kanë qenë shumë të kufizuara dhe nuk ka patur gati fare progres në vendosjen e sundimit të ligjit”.
Sipas këtij raporti qortues edhe ndaj Komisionit dhe Shërbimit të jashtëm të BE-së, vullneti jo i bindshëm politik në Kosovë, kapacitetet e dobëta finaciare dhe influenca e kufizuar e shoqërisë civile, dëmtojnë perspektivat për qëndrueshmërinë e ndihmës evropiane. Pjesa dërrmuese e rekomandimeve shkon për Institucionet e BE-së, të cilave iu kërkohet të kushtëzojnë më mirë e më fort vendin, si dhe të kërkojnë rezultate konkrete nga autoritetet.
Pergatiti ERNEST BUNGURI
Top Channel