Dhuna në familje, gratë nën terror

31/10/2012 00:00

Dhuna ndaj grave po përhapet frikshëm në të gjithë vendin. Pas rasteve
të terrorit në Qarkun e Durrësit, ku disa gra u masakruan nga burrat,
madje në mënyrë çnjerëzore, episode të ngjashme shënohen edhe në
kryeqytet.

Një burrë është dënuar vetëm me dy muaj burg, megjithëse akuzohet se ka masakruar bashkëshorten. Ndërsa një tjetër e ka rrahuar në mënyrë periodike dhe më pas i ka thyer edhe gishtërinjtë, dhe në fund është dënuar vetëm me kusht. Gazeta “Shqip” ka siguruar disa vendime të Gjykatës së Tiranës, ku shihet që gratë dhunohen sistematikisht, madje me mënyra çnjerëzore.

I thyen gishtat, tenton të vetëvritet

Rasti është denoncuar në Policinë e Tiranës nga vetë e dëmtuara Liljana M., e cila ka sqaruar se bashkëjeton me shtetasin Saimir B. dhe ka me të një fëmijë 6 muajsh. Gjatë bashkëjetesës Saimiri ushtronte dhune ndaj saj. E gjendur para këtij fakti, kjo shtetase është larguar nga dhunuesi dhe ka shkuar tek shtëpia e nënës së saj Myzejen. Sipas vendimit të gjykatës që disponon gazeta “Shqip”, për këtë fakt Saimiri e ka goditur dhe ushtruar dhunë mbi Liljanën, e cila më pas ka bërë kallëzim. “Liljana shpjegon se para katër muajsh Saimiri i ka thyer asaj edhe gishtat. Në depresion e sipër Liljana ka tentuar që të vrasë veten, duke pirë helme dhe duke goditur barkun e saj me thikë etj. Saimiri nga ana e tij ka kërcënuar edhe babanë dhe nënën e Liljanës”, thuhet në vendimin e gjykatës, e cila shpjegon se bashkëshorti ka shpjeguar në sallën e gjyqit se ka pasur mosmarrëveshje, por ato kanë qenë për shkak të çështjeve të tyre familjare. Për fajësinë e tij, gjykata ka administruar edhe ekspertimin mjekoligjor, nga ku rezulton se dëmtimet e shkaktuara ndaj Liljanës klasifikohen si plagosje e lehtë. Gruaja kishte fraktura në parakrahun e majtë, e cila futet në kategorinë e dëmtimeve që shkaktojnë humbje të aftësisë për punë në masën mbi nëntë ditë pushim (kjo është shkaktuar nga goditjet e të pandehurit). Janë pyetur prindërit e Liljanës, të cilët shpjegojnë se vajza e tyre Liljana Myftari është dhunuar fizikisht dhe dëmtuar nga bashkëjetuesi, madje pretendojnë se janë kërcënuar nga Saimiri. Bazuar në këto prova, gjykata e dënoi me 16 muaj burg. Gjykata vendosi që ta pezullojë këtë vendim, me kusht që gjatë dy viteve të mos kryejë asnjë vepër penale.

Zihet me vëllezërit, masakron gruan

Një tjetër rast i dhunës në familje është shënuar në kryeqytet. Gruaja, Vera L., ka denoncuar burrin në polici. Në kallëzimin e saj thekson disa raste ku është keqtrajtuar fizikisht ashtu dhe psikologjikisht nga i pandehuri Flamuri. Vitet e fundit i pandehuri ka nisur të konsumojë alkool dhe në mënyrë sistematike ka krijuar probleme në familje. Në një rast, Flamuri, pasi është konfliktuar me vëllezërit e tij, ka shkuar në banesë dhe pa asnjë shkak ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes. Nga goditjet e shumta, gruaja është shtruar për një periudhë 1-mujore në spital ku i është nënshtruar kurave përkatëse. Pak ditë pasi ka lënë spitalin, është paraqitur para shërbimeve të policisë ku dhe ka treguar ngjarjen. Sipas vendimit të gjykatës, dijeni për këto veprime ka pasur edhe vëllai i kallëzueses. Pas hetimit gjyqësor, agresori u dënua vetëm me dy muaj burg.

Pesë bashkëshortë rrahin gratë në Durrës

Dhuna ndaj grave në Durrës duket se është kthyer në një epidemi, që nuk po gjen zgjidhje. Pas disa krimeve të rënda në familje, ku gratë kanë qenë viktima në këtë qark, vetëm gjatë tri ditëve të fundit janë shënuar shtatë raste të reja të dhunës familjare, që janë denoncuar pranë Policisë së Durrësit. Madje, në një rast bashkëshorti, në konflikt e sipër ka tentuar të djegë dhe shtëpinë. Në një rast tjetër ka detyruar ish-gruan me të cilën është ndarë ligjërisht që të bashkëjetojnë, por denoncimi në polici e ka vendosur në pranga dhunuesin. Dy prej dhunuesve janë prangosur, dy persona të tjerë janë nën hetim në gjendje të lirë, ndërsa për tre raste të tjera janë plotësuar kërkesëpaditë për lëshimin e Urdhrit të Menjëhershëm të Mbrojtjes.

Në flagrancë bëhet e ditur se është arrestuar 46-vjeçari Gëzim Dauti, i dënuar më parë për shkatërrim të pronës, pasi ka kanosur seriozisht për jetën bashkëshorten e tij, L. Dauti. Ngjarja ka ndodhur në lagjen 18 të qytetit bregdetar dhe në konflikt e sipër Dauti ka tentuar të djegë banesën. Një tjetër person është arrestuar për “shtrëngim ose pengim për të bashkëjetuar ose zgjidhur martesën”. Sipas kallëzimit të bërë në polici nga shtetasja L. B., ish-bashkëshorti Lulian Karaboja, 52 vjeç, me banim në Durrës është konfliktuar keq me të, me qëllim detyrimin për të bashkëjetuar me të. Kjo vepër konsiderohet kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 3 muaj. Ndërkaq tri gra të tjera, përkatësisht 26, 29 dhe 43-vjeçare të keqtrajtuara nga bashkëshortët e tyre, përkatësisht 31, 39 dhe 52 vjeç, kanë kërkuar ndihmën e policisë për t’i shpëtuar dhunës së vazhdueshme fizike dhe psikologjike. Për të tria këto raste deklarohet se është plotësuar kërkesëpadia për Lëshimin e Urdhrit të Mbrojtjes së Menjëhershme dhe materialet iu përcollën Gjykatës së Durrësit për vlerësim.

Dy rastet e tjera të dhunës familjare kanë si protagonistë marrëdhëniet e dhunshme mes anëtarëve të tjerë të familjes. Një 42-vjeçar nga fshati Radë i Manzës është nën hetim pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj mbesës së tij 17-vjeçare. Nën hetim është dhe një 25-vjeçar nga Xhafzotaj që deklarohet i dyshuar për keqtrajtimin fizik të xhaxhait të tij 47-vjeçar. Rastet e dhunës familjare në Durrës janë të shumta. Pothuajse çdo ditë në raportimet ditore të policisë ka më shumë se dy raste të denoncuara të kësaj dhune, ndërsa muaji tetor ka regjistruar dhe tri raste ekstreme. Vrasjen me çekiç të nënës së dy fëmijëve nga ish-bashkëshorti, një plagosje të një nëne të re me sëpatë nga i shoqi në Krujë dhe një tentativë për djegie të gjallë të ish-gruas në Shkozet.
 

Gazeta “Shqip”

Top Channel